Investimet e huaja direkte janë rritur me 10% në 9 mujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë janë 1.088 miliardë euro që kanë hyrë në ekonominë shqiptare gjatë kësaj periudhe. Ky është niveli më i lartë i regjistruar që nga nisja e mbajtjes së të dhënave në 2014-ën.
Nga të gjithë partnerët kryesorë të Shqipërisë ka një rritje të investimeve të huaja.
Për 9 muajt e parë të vitit në krye të klasifikimit qëndron Holanda, për shkak të kompanisë “Shell” dhe projektit të zbulimit të naftës në malin e Shpiragës. Më pas, vjen Italia me 151 milionë euro, ndjekur në vendin e tretë nga Turqia.
Dy vendet e tjera i zë Austria dhe Kosova. Këto të fundit, në dy vitet e fundit kanë rritur ndjeshëm investimet që sjellin në Shqipëri.
Rekord është shënuar edhe sa i përket vlerës së investuar në pasuri të paluajtshme nga të huajt, plot 222 milionë euro në 9 muaj. Në pikun e sezonit turistik, treguesi ka pësuar një kapërcim të fortë. Aktiviteti i dytë ku po investohet është industria nxjerrëse, ndjekur nga aktivitete financiare dhe të sigurimit, ku hyjnë bankat apo shoqëritë e sigurimit.
Në vendin e katërt janë projektet në energjinë elektrike, të gazit dhe ujit, ndërsa në të pestin qëndrojnë investimet në tregtinë me shumicë dhe pakicë. 50 milionë euro kanë shkuar dhe në drejtim të sektorit të informacionit dhe komunikacionit. Pavarësisht rritjes rekord të investimeve të huaja në vlerë, pesha e tyre në raprot me PBB-në është ulur.