Nga Namir Lapardhaja
Ndonëse zgjedhjet vendore kanë shtatë muaj që kanë kaluar, Berisha ka thënë vazhdimisht se atë rezultat nuk e njeh dhe nuk e pranon, Kuvendi Kombëtar i Foltores që ka thirrur më 2 dhjetor për t’u votëbesuar, si gjithçka që ai ka bërë në këto kohë, nuk mblidhet për atë që thuhet, por për atë që fshihet.
Më shumë se sa për votëbesimin e Berishës, ai është një përpjekje e fundit për t’i treguar muskujt SPAK-ut dhe SHBA-ve, sikurse është edhe një shuplakë për të rreshtuar përfundimisht grupimin e deputetëve të Gazment Bardhit.
Duke qenë se SPAK-u, i mbështetur nga partnerët ndërkombëtare, nuk po dëgjon dhe nuk po sheh, Berishës i duhet një organizim i tillë për të treguar se ai vijon të jetë shumicë, që ka përfaqësinë e opozitës në Shqipëri, ashtu sikurse i duhet për t’i dhënë fund qëndrimeve ambigue, jo plotësisht të qarta, shpeshherë konfuze dhe të pakuptimta, të grupimit të Bardhit.
Ndaj 2 dhjetori do të shërbejë për të ndarë përfundimisht këtë çështje: Ose me Berishën kundër SHBA-ve dhe SPAK-ut, ose me PD-në euro-atlantike, për sa kohë që ky grupim deputetësh kanë treguar një paaftësi të llahtarshme për të krijuar një rrugë të tretë, për të dhënë një alternativë dhe për të qenë zëra individual dhe të besueshëm, se ajo që thonë dhe artikulojnë nuk bëhet për merakun e karriges, por për të mirën e demokratëve dhe të shqiptarëve.
Berisha përgjatë gjithë historisë së tij politike ka qenë i qartë. Ai njeh vetëm një rrugë, o je me të, o je kundër tij, të ndërmjetme nuk ka.
Deputetët e Bardhit po shkuan, do marrin përfundimisht damkën antiamerikane, siç edhe janë paralajmëruar herë pas here, por, mbi të gjitha, një pjesë e tyre do të tregojë se, pavarësisht se i dinë pasojat e afrimit me Berishën, pasi i shkaktuan humbje katastrofike në Kukës, i nxin imazhin në kancelaritë perëndimore, si njeriu zjarrvënës i Shqipërisë, do zgjedhin ose të poshtërohen, duke e ngrënë turpin me bukë, për shkak të miopisë dhe paaftësisë së tyre politike, ose të mos i shkojnë, duke i treguar se ai nuk ka asnjë peshë dhe me të nuk mund të vihet në pushtet.
Kështu merr fund “bashkimi”, por mbetet pazari i tyre.
Njëkohësisht mosvajtja e tyre, është sfidë personale për Sali Berishën, të cilit do t’i duhet ta rrëzojë përtokë atë pak dinjitet që i ka ngelur pas damkës “Non Grata”, dhe të pranojë poshtërimin e tyre, edhe pse, pak ditë më parë, nëpërmjet gojës së Tritan Shehut, u tregoi se, nëse nuk i binden, do jenë pjesë e linçimit dhe e poshtërimit publik.
Dhe një pjesë e madhe e tyre, duke mos pasur kurrfarë identiteti politk, i tremben linçimit të Berishës si djalli temjanit.
Përveçse sa më sipër, Kuvendi i Foltores, i thirrur nga Berisha për hallin e tij, është tallja e radhës me demokratët, që mund të besojnë, sepse një gjë e tillë e përshtjellon edhe më shumë tollovinë institucionale paralele të krijuar nga Berisha përgjatë kësaj periudhe, në një kohë që tashmë është e qartë se cila është PD-ja reale, zyrtare, institucionale, ajo që njihet nga ligji, gjykata, institucionet, partnerët.
Vijimi i agonisë dhe i paqartësisë, vetëm se do të zgjasë edhe më shumë zvarritjen dhe ngeljen rrugëve të këtyre njerëzve.