20 pemë të reja iu shtuan shot sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë. Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili mori pjesë në aksionin për mbjelljen e pemëve, u shpreh se ky është sezoni më i mirë i mbjelljeve. “Sot ka filluar zyrtarisht dimri, por gjithashtu kemi nisur edhe sezonin tonë të mbjelljeve. Të gjitha studimet tregojnë se sot nuk na duhet pemët vetëm për oksigjen, por edhe për një strehë nga dielli për uljen e temperaturave. Kush është në Tiranë gjatë gushtit e di sa përcëllues është të qenit në sheshe të medha, kur nuk ke një mundësi të kesh një itinerar mes pemëve për të pasur hije dhe për t’u siguruar që të përballojmë diellin, ashtu si na duhet të përballojmë edhe përmbytjet në ditë me shi”, tha ai.
Ai ftoi jo vetëm bizneset, por edhe qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate. “Ftesa ime për qytetarët është: Kemi hapur një sezon festash, kemi hapur një sezon argëtimi dhe gëzimi, por kemi hapur edhe një sezon solidariteti për ata që janë në nevojë kur vjen puna te ndihma, pakot dhe ushqimet, por solidaritet edhe për qytetin tonë. Nëse do ta përdorim stinën e dimrit ku secila familje, secili nxënës mbjell një pemë, ku bashkë me fëmijët rritet edhe pema e tyre e ditëlindjes, ne do të kemi një qytet shumë herë më të mirë se ai që gjetëm”.
Veliaj tha se deri më sot në Tiranë është tejkaluar shifra 1 milion pemë, por ka ende nevojë për ta rritur këtë numër. “Kemi mbjellë 1 milion pemë, por unë nuk jam krenar për këtë, sepse qyteti ka nevojë për dyfish e trefish. Ndaj, do të na duhet që çdo ditë të matemi me veten dhe të mbjellim më shumë seç kemi mbjellë një stinë më përpara. Ajo që kam kërkuar nga të gjitha agjencitë tona është që të mbjellim pemë në rrugët kryesore, aty ku qytetarët apo këmbësorët kalojnë për të shkuar nga pika A në pikën B në Tiranë”, u shpreh ai.
Veliaj shtoi se kryeqyteti po bëhet gjithnjë e më tërheqës për turizmin, e sidomos me titujt, si ai që fitoi edhe së fundmi, si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës ka shënuar një rritje domethënëse të ekonomisë. “Tirana ka disa sfida, përveçse për qytetarët e saj, të jetë edhe një shtëpi e madhe e bashkive të Ballkanit gjatë gjithë 2024-ës, kur do të marrë Presidencën e B-40. Do të thotë se numri i turistëve do vazhdojë të rritet, ashtu siç e parashikoi Kryeministri. Me lajmin se në vitin 2025 do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, do kemi mijëra aktivitete që do të ndodhin në Tiranë. Kemi një detyrim jo vetëm ndaj qytetarëve tanë, por edhe ndaj qytetarëve që vijnë si vizitorë. Ndoshta, nuk paguajnë taksa, por sjellin të ardhura si turistë dhe prodhojnë ekonomi për vendin”, e mbylli Veliaj fjalën e tij.