Në Kongresin e Partisë Socialiste ka nisur diskutimi me panelin e parë, ku në fokus është Reforma në Drejtësi. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në fjalën e tij para delegatëve socialiste tha se vendimi i Strasburgut për 21 janarin i ka hapur rrugë drejtësisë. Manja tha se PS do ta mbështesë drejtësinë pavarësisht çmimit.

“Drejtësia për 21 janarin është provë themeli për të mbrojtur vlerat e demokracisë. Për në socialistët shqiptarë 21 janari është plagë dhimbje por në këtë kongres ndihemi paksa të lehtësuar pasi vendimi i Strasburgut i ka hapur rrugë drejtësisë. Vendimi i Strasburgut dëshmon më shumë se kurrë se drejtësia asnjëherë nuk e lë në harresë të drejtën. Paneli i këtij kongresi nis me drejtësinë, pasi tek drejtësia e ka zanafillën te modernizmi i shtetit. Me ardhjen në pushtet të PS, u premtuan shqiptarëve drejtësi të pavarur, aspiratë e zhvilluar që kur ishim në opozitë. Votën plebishitare të 2013 e farkëtuam përmes një përpjekje historike për ti dhënë Shqipërisë drejtësinë që nuk e ka pasur që prej themelit të shtetit shqiptar. Këtë proces transformimi do ta shtyjmë para, pavarësisht çdo lloj çmimi”, tha Manja.

Sipas ministrit Manja, sistemi i drejtësisë tashmë është konsoliduar dhe ka filluar të japë rezultatet.

“Në këtë fazë që jemi sot reforma e ka mbushur misionin dhe institucionet e drejtësisë janë në fazën e konsolidimit duke prodhuar rezultate të prekshme për çdo qytetar shqiptar. Sot u takon drejtësisë që të kujdesem që çdo qytetar të marrë drejtësi me standarde, me prova e fakte dhe garanton respektin e të drejtave dhe lirinë themeltare të çdo qytetari. Sot në sajë të reformës Shqipëria është bërë një partner i besuar në luftën kundër krimit, duke dëshmuar se epoka e pandëshkueshmërisë i përket një epoke tjetër. PS do ta mbështesë modernizmin e sistemit të drejtësisë. Kemi dyfishimin e buxhetit të drejtësisë në 7 vite”, vijoi Manja.