Nga Namir Lapardhaja/
Tani nuk është më problem Berisha.
Ai prej kohësh jeton në realitete paralele, ndërsa prej dy vitesh është kapur me thonj për të shpëtuar veten dhe të afërmit e tij.
Në aspektin njerëzor, kjo është normale, sepse të gjithë kanë të drejtë të mbrohem sipas mënyrave të tyre.
Mbrojta e Berishës ka qenë pikërisht bunkerizimi i PD-së dhe përdorja e njerëzve si mburojë.
Sado që u përpoq, nuk ia doli dot, sepse në fund po shkon të përballet i vetëm me drejtësinë.
Problem sot janë ata që vijojnë ta ndjekin në marrëzinë e tij dhe në shfaqjen e tij të fundit, ndërkohë që “Vëllai i Madh” e ka nxjerr përfundimisht jashtë “shtëpisë” së lojës politike.
Berisha është në apolitikë, sepse i ka mbaruar rruga, jo thjesht koha.
Ata që vijojnë ta ndjekin janë jo vetëm të pandershëm dhe të pamoralshëm, por, mbi të gjitha, ata janë armiqtë e vërtetë të Sali Berishës, sepse kanë dashur të përfitojnë nl mënyrë hileqare nga rënia e tij.
Ata që i kanë qënduar përballë kanë qenë shumë herë më të ndershëm, madje prej dy vitesh edhe e kanë “ndihmuar” duke i thënë se rruga e tij është një marrëzi drejt askundit dhe drejt vetasgjësimit politik.
Ata që vijojnë ta ndjekin i ngjajnë sorrave që duan të shqyejnë një kadavër të mbaruar politike.
Ata që i kanë qëndruar përballë, nuk kanë asnjë detyrim moral dhe politik ndaj Sali Berishës, sepse t’i thuash të vërtetën liderit apo udhëheqësit është akt i guximshëm, ndërsa t’i lëpihesh dhe t’i shkosh nga prapa drejt shkatërrimit të pakthim, me shpresë se do të fitojnë pas rënies së tij, është poshtërsi dhe amoralitet i madh.
Fytyrat e mbështetësve të Sali Berishës në mbledhjen e sotme të atij që ai e quan Këshill Kombëtar i Rithemelimit flasin më shumë se gjithçka.
Pavarësisht se ata e kuptojnë situatën në të cilën ndodhen, vijojnë drejt marrëzisë dhe drejt fundit.
Askush prej tyre nuk ka guxim të çohet dhe t’i thotë Sali Berishës: Koha jote mbaroi, ik në shtëpi, përballu vetë dhe na çliro nga pesha jote e mëkatit.
Ata vijojnë të sillen poshtërsisht, duke e dëshiruar rënien e tij, por duke mos pasur kurajo t’ia thonë Berishës në sy.
Si të tillë, ata janë armiqtë e vërtetë të Sali Berishës.