Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka depozituar në Kuvend një projektligj, përmes së cilit kërkon ndryshime në Kodin Penal.
Konkretisht kryedemokrati Basha, kërkon që në nenin 120 të Kodit Penal, të shtohen edhe deputetët. Basha propozon që nëse një ligjvënës bën një deklaratë ndaj një deputeti, ky i fundit ka të drejtë të bëjë kallëzim në prokurori dhe nëse instancat e drejtësisë vërtetojnë që deklarata është shpifje, deputeti rrezikon nga gjobë deri në 2 vite burg.
“Kur, kjo vepër, kryhet nga të zgjedhurit, gjatë kohës së ushtrimit të mandatit, në seancat parlamentare të Kuvendit, apo në çdo forme tjetër, përben kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet.”, thuhet në projektligjin e propozuar nga Basha.
Ky propozim i Lulzim Bashës vjen pas akuzave që Gazment Bardhi bëri ndaj tij, duke i thënë se ka përfituar dy kate në rezidencën ‘Lion’ të Tiranës. Kjo përplasje e ashpër e dy ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë ndodhi më 5 tetor në Kuvend, ndërsa Basha e akuzoi Bardhin se është bërë pjesë e aleancës së kullave Berisha-Rama.