Kreu i qeverisë Edi Rama në konferencën e fundvitit u pyet edhe për frymën e opozite të re. Rama ironizoi edhe kreun e opozitës, Lulzim Bashën, për të cilin tha se duhet të jetë “në gjumë”.
‘U mbyll viti me një opozitë të dobët, por nuk është pjesë e misionit tim që të ndërtoj një opozitë të fortë. Më vjen shumë keq po këtë e kam thënë prej kohë, jo se jam profet as shoh filxhan, po duhet të ishe shumë i verbër që të mos e shikoje prej kohësh se kjo do vinte. Lulzim Basha s’dihet ku është. Mund t ju them se tani në këtë orë është duke fjetur. Jam i sigurtë. Po dhe po të zgjohet nuk presim gjë të re.’- tha Rama
Kryeministri Edi Rama komentoi edhe qëndrimin e opozitës gjatë javëve të fundit në Kuvend, duke thënë se është në konfuzion total. I pyetur nëse do të ketë një bashkëpunim mes palëve në 2024-ën, kryeministri Rama tha se kjo varet nga pala tjetër, për të cilën tha se është në një proces shpërbërjeje.
‘Pala tjetër që është në konfuzion total dhe në një betejë të verbër kundër drejtësisë. Në rast se palës tjetër do t’i hapen sytë, atëherë mund të presim për një hapësirë për komunikim normal. Kur them pala tjetër, aty është në federatë palësh që ndahet e bashkohet, ndahet e bashkohet dhe është pjesë e konfuzionit. Për mua nuk ka asnjë surprizë, është një proces shpërbërjeje që nuk kthehet pas duke bërë ngjitje artificiale copash, të cilat nuk i lidh asgjë tjetër përveç interesit për karrige të individëve që përbëjnë ato copa. Nuk ka asnjë vizion, asnjë qëllim afat mesëm, asnjë lloj lidershipi, është një shpartallim që do të vazhdojë sipas meje.’- tha Rama.