Analisti Frrok Çupi paralajmëron arrestimin e dy ish-kryeministrave në Shqipëri. I drejtpërdrejtë në atë që thotë dhe si gjithmonë i saktë e serioz, zoti Çupi i ka bërë një skaner situatës politike në vend, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, djalit të këtij të fundit, Shkëlzenit, ish-presidentit Ilir Meta dhe kujdo që është përfshirë në zullume, duke ua numëruar një nga një “mëkatet”.

Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, analisti Çupi thekson se politikanët e korruptuar e inkriminuar në Shqipëri do të fundosen nga Prokuroria Speciale (SPAK).

Ndalur tek tragjedia e “Gërdecit”, e cila po hetohet me themel nga SPAK, analisti tregon se si Shkëlzen Berisha i bëri padashje ‘gropën vetes’ duke nxjerrë provën që e implikon në aferën e ‘Gërdecit’.

Po ashtu, ai komentoi edhe përgjimet e “SKY” dhe “EncroChat” ku dyshohet se janë përfshirë politikanë, policë, prokuror, gjyqtarë, zyrtarë të lartë dhe madje edhe gazetarë.

Ndërkohë, zoti Çupi tregon edhe se ku fshihen provat kriminale që po kërkon SPAK për Ilir Metën, Kryemadhin e bashkëpunëtorët e tyre. Gjithashtu analisti i njohur tregon se si do zbardhet dosja e ‘21 Janarit’ dhe kush është, sipas tij, plani i madh amerikan që ka përgatitur SHBA për Sali Berishën.

-Zoti Çupi, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit për vulën e PD dhe e riktheu çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë me një trupë tjetër. Kjo është një fitore e vogël për Berishën që kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të 3 marsit të Apelit. Tashmë vula nuk është më në dorë të Bashës deri në një vendim të dytë të Apelit edhe pse ai në gjykatë figuron kryetar i PD. Si e shikoni këtë vendim?

Po të kishte ‘fitore te vogël’, që kur u shpall vendimi, Berisha do të na kishte nxjerrë sytë e do të na kishte vënë fitilat. Por nuk ka asnjë pikë fitoreje, as të vogël, as të madhe. Në Drejtësi nuk ka ‘fitore të vogël’; o fiton o humb. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese e ktheu çështjen për një korrektim të procedurës së mëparshme, dhe natyrisht që do të gjykojë një ekip tjetër. Kaq është. Natyrisht që konsideroi kërkesën e kërkuesit; kjo është e natyrshme për një gjykata jo paragjykuese. Kryetar i PD është Lulzim Basha, nuk është lëkundur ky qëndrim.

-Për Sali Berishën është vendosur masa e arrestit në shtëpi me policë të dera dhe kontakte vetëm me familjarët. Mendonit se do të vinte kjo ditë për Sali Berishën, apo ky është fillimi për të për të gjithë të zezat që ka bërë?

Po më pyesni mua, personalisht? Apo një qytetar të zakonshëm? Sigurisht, unë e dija, ose e shikoja në horizont. Nuk di sa i padenjë do të ishte Berisha duke ikur, por e di sa i padenjë ka qenë një jetë të tërë si lider politik. E kam shpallur publikisht që në gusht 1991 se ‘me Berishën po shkojmë në ferr, në të njëjtën karrocë me Enver Hoxhën” .

Mirëpo ndodhi që e pësuam më keq. Sali Berisha është rreziku më i madh i vendit, fenomeni më shkatërrues, më i dhunshmi dhe më i korruptuari. Ndërsa një qytetar i zakonshëm nuk besoj se e ka menduar më parë fundin e Berishës kështu si ndodhi.

Sepse as është detyrë e një qytetari të zakonshëm të njohë tmerret që fshiheshin brenda kurmit të Berishës: Intrigant, njeri i lig, hajdut, i dhunshëm, vrasës, përçarës mes njerëzve dhe mes krahinave, primitiv, rrënues i demokracisë… Ky është kaq i lig sa i mashtroi njerëzit duke krijuar një personalitet të dytë, që në fakt nuk e kishte. U krijoji idenë se ; ky të paktën nuk vjedh”. Por në fakt cilësia e tij e parë është të shvasë çfarë ka në dorë. E shikoni tani?

-Çfarë na pret politikisht në 2024, si e shikoni opozitën me ikjen e Sali Berishës?

Opozita çlirohet nga një tiran dhe i degjeneruar. Mbaj mend Vlorën e vitit 1997, ku unë kalova gjithë luftën, ata e quanin jo Sali, por “Degjenerata”. Opozita çlirohet nga një hije e keqe, nga një fatkeqësi dhe një turp. Perëndimi, sidomos Amerika, ka bërë çmos që t’ i jepen shanse PD së që të ringjallet duke lënë pas Berishën. Të shikojmë nëse do ta bëjë dot. Por opozita nuk është vetëm PD. Ndërsa Foltorja nuk është fare opozitë. Ajo është një turmë e paligjshme, amorfe, jo politike dhe thuajse kriminale.

-Përveç ikjes së Sali Berishës, po shohim se prej muajsh ka një tërheqje të Ilir Metës nga politika. Ai jo vetëm ka braktisur protestat që ka organizuar Berisha, por edhe nuk po shfaqet as në media. A mos vallë ish-presidenti ka frikë se mos e ndjek i njëjti fat si Berisha për shkak të dosjeve të shumta që ka në SPAK?

Ilir Meta sot u shpall ‘nën hetim’ bashkë me të shoqen. Këtë e shpalli kryeprokurori i SPAK, zoti Dumani. Domethënë është vënë ‘në këpucën’ e Berishës. Shqipëria po ndahet nga ëndrra më e keqe e saj, nga dy kapo të mafies që i hëngrën jetën vendit. Së shpejti Shqipëria do të jetë edhe në krye të lajmeve të Botës si ‘shteti që mposhti organizatat e mëdha kriminale’ në fund të epokës së mafies shtetërore. Shqipëria nuk e kishte provuar këtë provë të madhe. Tani vendi ynë do të ketë prapa hekurave dy presidentë të Republikës dhe dy kryeministra. Ky është lajmi botëror.

-Vetë SPAK ka nisur sekuestrime provash në familjen “Meta”, madje Kryemadhi konfirmoi se SPAK i ka futur nën hetim pasuror, a mendoni se mund t’i fundosë pasuria?

Provat e SPAK po mblidhen, natyrisht. Por prova kriminale e Ilir Metës and CO. Ndodhen në plagët e vendit dhe të shtetit. Ndodhen kudo.

-Shkëlzen Berisha ngjiti këtë javë shkallët e Gjykatës së Posaçme, ku dëshmoi për tragjedinë e “Gërdecit”. Javën që kaloi ai ju shmang thirrjes, por këtë herë u paraqit që herët në mëngjes. Si e shikoni këtë zhvillim?

Nuk ka asnjë zhvillim. Shkëlzeni ishte një dëshmitar i rremë para gjykatës, gjë që e rëndon pozitën e tij. Por, dashje pa dashje, ai dëshmoi se ka pasur lidhje me qeverinë, se ka urdhëruar ministrat në emër të babait të tij Sali, se është ai që e ka krijuar dhe i ka marrë fitimet fabrikës së Vdekjes në Gërdec. Kanë vrarë 26 vetë, bashkë me të atin, vetëm e vetëm për të fituar për vete. Ke parasysh kriminelin e ftohtë sadist që e vret njeriun për t’ i vjedhur atë që ka në xhep; edhe pse ai tjetri mund të mos ketë asgjë në xhep. Në krye të fabrikës së vdekjes Gërdec ndodhet Sali Berisha dhe i dyti vjen Shkëlzeni.

-Ndërkohë vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut për Aleks Nikën, thotë se ka dy shkelje në këtë çështje: Vrasja dhe më pas moszbardhja e vrasjes! Në vendimin e kësaj gjykate theksohet se shteti ka përgjegjësi për vrasjen e Aleks Nikës, ndërsa fajtori duhet të dënohet. Pra Strasburgu i dha një goditje tronditëse Sali Berishës dhe çetës së tij që zbatuan urdhrat për vrasjet në 21 janar. Si e komentoni këtë vendim?

Strasburgu i ndriçoi rrugën Drejtësisë që të gjejë vrasësit e 4 dëshmorëve në bulevard. Duhej kjo ndihmë siç duhet oksigjeni për jetën e njeriut. Vendimi i Strasburgut ka dhënë shpresë në mes familjarëve dhe qytetarëve në vendin tonë. Kishim kaq shuma vrasës mizorë në qeveri saqë këta mizorë nuk do t’ i mposhtnim pa ndihmën e Amerikës dhe Europës. Ngjarja në bulevard është ngjarja më tragjike e shtetit shqiptar. Sepse ka ndodhur në emër të demokracisë, ku njerëz janë vrarë nga qeveria e tyre njësoj si të ishin egërsira në errësirë.

-Si i komentoni përgjimet e “SKY ECC”? Aty thuhet se dalin gazetarë të njohur që bashkëpunojnë me krimin dhe politikanë që kanë porositur vrasje.

Të enjte kryeprokurori i SPAK e shpjegoi qartë këtë çështje. Dua të shtoj keqardhjen e thellë për kolegët tanë gazetarë, që në fakt prej kohësh e dimë se punojnë me çdo kriminel që u ofron pasuri, me çdo antishqiptar që u ofron të sulmojnë atdheun e tyre dhe këta e quajnë kombin shqiptar një ‘rracë koti’. Ose bëjnë thirrje në media për ‘vrasjen e prokurorëve të SPAK’. Më keq se kur rekrutohen policët nga krimi… Refuzoj që këta të jenë në radhët e gazetarëve, ose gazetarët e vendit duhet të bojkotojnë profesionin e tyre.

-Thuhet se amerikanët dhe britanikët pritet të sjellin një tjetër “listë të zezë”. Mendoni se do të ketë emra nga opozita pasi disa prej tyre nuk po zbatojnë kërkesat e ndërkombëtarëve për shkëputjen nga mbështetja e të korruptuarve dhe “non-gratave”?

Kam frikë se emërtimi ‘ non grata’ po kthehet në modë nga disa politikanë periferikë ose edhe media periferike. Nuk është kjo gjëja që na sjell shpëtimin. ‘Non-grata’ është një sinjal për Drejtësinë. Po shikojmë që Drejtësia po vepron me mençuri e profesionalizëm dhe kjo është e tëra.

-Si e shikoni qeverisjen “Rama”, do e ketë më të lehtë fitoren e një mandati tjetër me ikjen e Berishës?

Lëmë mënjane qeverinë ‘Rama’ dhe shikojmë Shqipërinë. Shqipëria është bërë si shoqet e veta europiane. Tirana është kthyer në Europë të Ballkanit. Vendi ynë është vënë në hartën e vendeve më të bukura për turizëm e për të jetuar. Qytetaria është përsosur në sjelljen e saj qytetare. Ekonomia po rritet në ritme më të mira se shoqet në rajon. Siguria dhe paqja janë të garantuara.

Aftësia zbuluese ndaj krimit ndodhet ndër vendet më të përparuara të Perëndimit. Shqipëria ka një vend të lartë në autoritetin ndërkombëtar, saqë dikur e shikonim si vend të kursyer vetëm për Amerikë ose për Francë, ose për Gjermani… Mendoni si e kishim Shqipërinë. Kemi kronika filmike që na bëjnë të turpërohem: Kallashë, të shtëna, vrasje, luftë civile, ushtria e OKB këtu, vrasje, uri, vjedhje… Këtë Shqipëri nuk e gjen dot as Saliu që e kishte krijuar; prandaj ndihet në krizë. E lëmë përcaktimin ‘qeverisja e Ramës’, por Edi Rama e bëri këtë realitet./Gazeta SOT