Nga Jakin Marena
Askush nuk kishte dyshime që Sali Berisha do të votëbesohej me 99 përqind nga Kuvendi Kombëtar i ‘Foltores’ si kryetar i saj. Eshtë pronë e tij ky grupim dhe askush nuk ia merr dot.
Dhe si pronë e tij, dikur PD dhe tani një pjesë e saj e grumbulluar te ky grupim pas ndarjes së partisë, nuk u ka shërbyer shqiptarëve mes të cilëve dhe demokratëve sipas misionit për të cilin ishte themeluar, por Sali Berishës, familjes së tij dhe atyre që kanë punuar fort për këtë familje.
Ky grupim politik u shkëput nga PD zyrtare vetëm për këtë qëllim, për t’i shërbyer Berishës, familjes dhe ortakëve të tij, në këtë moment të vështirë kur është shpallur familjarisht ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe dhe trajtohen si të tillë nga vendet anëtare të BE, vendet e rajonit madje dhe Kosova. Liderët e së cilës ia kanë ‘harruar’ fytyrën Berishës.
Por Kuvendi i ditës së shtunë, pati vetëm gjë një të re, hyrjen e vajzës së Sali Berishës, Argita Malltezi Berisha, në mënyrë publike si trashëgimtare e së ardhmës së grupimit politik “Foltorja” për të zëvendësuar babain, në një moment të mundshëm nëse përfundon në qeli, ose meqë është në pleqërinë e thellë, mund ta marrë i Plotfuqishmi papritmas në ‘gjirin’ e vet. Duke prerë shpresat për ‘mëtonjësit’ e drejtimit të “Foltores” dhe duke treguar se ky grupim do të vijojë të mbetet tërë jetën në dorën e familjes Berisha, thjeshtë dhe vetëm për hallin personal.
Nuk ishte ndonjë risi, pasi këshilltarja më e afërt e Berishës në prapaskenë ka qënë Argita. E cila ka qënë interlokutore që nga propozimi i Lulzim Bashës për kupolën më të lartë në PD, e deri tek kreu i kësaj partie për 10 vite me ‘bekimin’ dhe të Berishës, e deri në orientimin e ‘këshillimin’ e biznesve për të fituar para publike nga babai kryeministër, përmes atij 3 përqindshit të famshëm të ‘taksës së suksesit’.
Pra një “taksë suksesi” që herë herë shkonte dhe në 3 milionë euro me një ‘dorë’ si në rastin e biznesmentit pakistanez, i cili për hir të së vërtetës e refuzoi ta paguante këtë shumë që kërkonte Argita për të negociiuar te babai kryeministër për të investuar në Shqipëri. E ka bërë publik këtë fakt vetë biznesmeni pakistanez, me zë dhe figurë, dhe kush ka interes mjafton të futet tek motori i kërkimit ‘google’ dhe e gjen në gjuhë të huaj dhe të përkthyer, me zë dhe me të shkruar.
Argita për pjesën më të madhe të ithtarëve të Berishës, ishte një emër i ditur si trashëgimtare për drejtimin e “Foltores”. Mjafton për këta ithtarë që në krye të tyre të jetë mbiemri “Berisha”, në versionin mashkull apo femër, dhe ata e ndjekin symbylltazi. Por janë një kontigjent shumë i vogël, pa asnjë peshë politikë , kjo kategori ndjekësish që jo vetëm nuk të sjell në pushtet por të krijon akoma më shumë alergji te elektorati gri që kërkon ndryshim radikal tek lidershipi i opozitës, për t’i dhënë mbështetjen dhe pretenduar pushtetin. Pra një emër tjetër, përpos Berisha.
Ajo që pritej me shumë interes ishte qëndrimi që do të mbante Gazmend Bardhi dhe ndjekësit e tij ndaj institucionalizimit të Argita Berishës si lidere e re e cila do të pasonte babain 80 vjeçar Sali Berisha në krye të “Foltores”!
Mungesa e Bardhit dhe deputetëve të tij në Kuvendin Kombëtar të Foltores me sa duket paska qënë një element jo tregues i kundërshtisë ndaj strategjisë së Berishës për të çimentuar pushtetin e tij e të familjes mbi këtë grupim, i cili nga pikëpamja ligjore është jashtë sistemit politik. Pasi nuk ka as logo, as vulë dhe s’është regjistruar në gjykatë. Paska qënë pranim në heshtje i Argitës si pasuese e e Berishës në krye të “Foltores, por duke shmangur kontaktin e parë me të në Kuvendin Kombëtar. Arësyet që mund të nxjerrin apo kanë nxjerrë, janë pa peshë tashmë.
Nuk është sekret që Bardhi dhe mbështetësit e tij kanë shkuar tek Foltorja, për të përfituar politikisht, të paktën një mandat deputeti dhe Bardhi nga ana e tij për të synuar akoma më lart, postin e numrit dy të grupimit dhe pse jo në një të ardhme të afërt dhe drejtimin e Foltores, qoftë dhe si i deleguar derisa të përgatisë terrenin për të kapur kreun, në një rast të mundshëm të largimit të Berishës drejt qelisë apo përballjes me ‘rregullat’ e Zotit.
Pasi për hir të së vërtetës ‘Foltorja’ ka mbështetës më shumë se sa PD zyrtare të paktën tani për tani, por asesi mbështetje të tillë që të rrezikonte pushtetin e PS dhe Ramës, të cilët po shkojnë të qetë dhe të sigurtë drejt fitimit të mandatit të katërt qeverisës radhazi. Për pasojë dhe mundësitë e një ristrukturimi të këtij grupimi pa Berishën, me një emër të ri e qasje përafërsisht të re mund të sillte shtimin e votave dhe rritjen e krediteve të besueshmërisë tek qytetarët. Për të qënë pas zgjedhjeve të vitit 2025, një opozitë serioze dhe dinjitoze.
Bardhi kishte menduar se me nguljen e ‘gozhdës” dhe varjen e ‘xhaketës” në këtë “gozhdë” në murin e ‘Foltores’, në një të ardhme jo fort të largët të pretendonte që kjo ngrehinë të ishte e tija. Për të marrë dhe drejtimin e këtij grupimi politik të dalë nga PD.
Por Berisha ka halle për të mbrojtur pasardhësit. Të cilët do të mbeteshin pa mbrojtjen politike përballë drejtësisë dhe për faktin se dhe familjarët e tij janë persona ‘non grata’ në SHBA dhe Britani të Madhe. Për më tepër që Berisha është ‘djegur’ njëherë nga të besuarit e tij dhe tashmë është bërë paranojak, sa nuk i beson askujt përpos gjakut të tij, familjes së afërt biologjike.
Lulzim Basha, ‘biri’ i tij politik të cilin ia kishte sjellë vajza Argita nga Kosova për ta katapultuar në kupolën drejtuese të PD, duke i dhënë të gjitha postet e mundshme nga ministër te Transportet, ministër te diplomacia dhe ajo e Brendshme, më pas në krye të bashkisë së Tiranës dhe në fund të krye të PD duke i hyrë në ‘hak’ rivalit Sokol Olldashi, i ndjeri humbi jetën në një aksident tragjik, pra Basha sipas ‘kutit’ të Berishës i doli ‘besëprerë’ jo vetëm se nuk e mbrojti në momentin më të vështirë të tij kur u shpall “non grata”, për këtë qëllim e kishte emëruar në krye të PD për hir të së vërtetës, por e përjashtoi nga grupi parlamentar dhe në fund dhe nga PD.
Jo vetëm kaq, por në këtë moshë pleqërie të thellë, për të përballuar hallet me drejtësinë, e detyroi të dilte nga prapaskena e drejtimit të PD, të shkëpuste pjesën më të madhe të anëtarësisë së kësaj partie, e të themelonte e të merrte drejtimin e ‘Foltores’. Pra të bënte atë që nuk ka bërë askush në politikën evropiane sëpaku, të rikthehej nga pensionimi politik, ku i takonte me ligj e zakon, për të rihyrë në politikën aktive. Siç di Berisha në fakt, me dhunë dhe zjarr, me tymuese dhe gjuhë të shthurur.
Dhunë që për fat është e përmbledhur vetëm në perimetrin e Parlamentit e kryesisë së Kuvendit, pasi me gjithë thirrjet e dëshpëruara ndaj demokratëve, elektoratit dhe qytetarëve për mbështetje, askush nuk ka bërë një hap para për të ardhur në Tiranë dhe qëndruar krah tij. Kjo u pa dhe në Kuvendin Kombëtar të ‘Foltores’, ku gati një e treta e delegatëve të këtij Kuvendi nuk mori pjesë e po aq hyri e doli nga Kuvendi pa votuar. Kanë halle jetike njerëzit, jo milionash si Berishët.
Në këto kushte nuk i beson askujt, pra as Bardhit për të marrë drejtimin e Foltores në një rast të mbramë për të, Berisha ka zgjedhur që t’i besojë një anëtari të familjes, dhe pikërisht vajzës së tij Argita trashëgiminë e lidershipit të “Foltores”. Kjo u pa dhe në fjalimin e saj, i pari i këtij lloji për të, në Kuvendin Kombëtar të këtij grupimi të shkëputur nga PD.
Ndonëse Argita bëri gafën proverbiale duke e quajtur veten si përfaqësuese e shtresës së mesme të shoqërisë shqiptare, kur në deklarimin zyrtar të pasurisë, ka pasuri të patundshme që një mendje normale nuk i mban mend, aq e gjatë është lista e banesave dhe pronave që ka në ‘ngarkim’, si dhe deklaratën se demokratët duhet të luftojnë për fëmijët e tyre që përmes revolucionit t’u garantojnë një të ardhme më të mirë, pavarësisht se historia politike botërore tërë shembujt i ka me të rinjtë që luftojnë për përmbysjen e madhe dhe bëjnë revolucionin, dhe në Shqipëri studentët u ngritën për përmbysjen e komunizmit, delegatët e Foltores me sa duket e kanë pranuar në heshtje këtë ‘rotacion’ pushteti politik brenda familjes.
E ka pranuar dhe Bardhi e deputetët që e ndjekin, ashtu në heshtje duke e ‘gëlltitur’ me zor, pasi përballë në një të afërme jo të largët nuk do kenë një 80 vjeçar e në hall me drejtësinë si Berisha, të cilin mund ta ‘menaxhonin’ por një grua të re, me energji ndoshta më shumë se Berisha, e cila është vështirë të ‘menaxhohet’. Gjithsesi ‘ngushëllimi’ i vetëm për demokratët e ‘Foltores’, Bardhin dhe mbështetësit e tij është se dhe Argita Malltezi, ashtu si Sali Berisha, është person ‘non grata’ nga SHBA e Britania. Por është me moshë më të vogël. Bardhi dhe deputetët që e ndjekin, për më tepër kanë bërë zgjedhjen mes SHBA-BE e Berishës, me gjithë paralajmërimet e Uashingtonit. Kanë zgjedhur ‘non gratën’, babain dhe të bijën.
Eshtë një rast i paprecedent në Shqipëri për kalimin e pushtetit politik nga babai tek fëmijët biologjikë. Nuk ka guxuar as Enver Hoxha ta bënte, megjithëse kishte të gjithë mundësinë e Zotit, pasi ishte i plotfuqishëm për 45 vite në diktaturën komuniste dhe të tre fëmijët i kishte në moshën madhore, madje të pjekur, për të marrë drejtimin r PPSH. Edhe shqiptarët që qëndruan në këtë diktaturë për 45 vite, do ta kishin pranuar me kënaqësi. Pas tërë atyre lotëve që derdhën për vdekjen e Enver Hoxhës, do ta kishin ‘ngushëllimin’ më të madh që njëri nga djemtë e diktatorit të bëhej kreu i Partisë së Punës. Por Enver Hoxha nuk e bëri, nuk arriti deri këtu.
Në këtë rast, krahasimi më përfekt do të ishte ‘dinastia’ e Kim-ëve në Korenë e Veriut, ku është transferuar pushteti politik nga babai, tek i biri. Tashmë është në brezin e tretë në krye të Partisë Komuniste të Koresë së Veriut kjo familje.
Ajo që mund të themi në fund të herës është fakti se grupimi më i madh demokrat, “Foltorja’, me këtë rrotullim rreth vetes nuk ngjall asnjë shpresë për të ardhmen e demokratëve dhe të opozitës shqiptare. Pasi po vepron thjeshtë dhe vetëm për një qëllim: si mburojë për hallet e Sali Berishës, familjes dhe ortakëve të tij.
Nuk përjashtohet mundësia që në ndonjë cep të përfitojnë dhe të tjerë sa për një mandat deputeti. Këtu s’përjashtohet as Bardhi e ndonjë deputet i rrallë nga ndjekësit e tij, që të hyjë në Kuvend dhe pas zgjedhjeve të vitit 2025. Kjo u pa dhe sot, me pjesëmarrjen aktive në kaosin e krijuar në seancën parlamentare, në mbështetje të Berishës dhe për hallin e tij me drejtësinë. Ndonëse ‘egërsia’ e disa deputetëve që silleshin si ‘skifterë’ më parë, pas Kuvendit Kombëtar të ditës së shtunë, ishte sfumuar. Me sa duket kanë nisur llogaritë. Ndoshta dhe jashtë Foltores.
Duhet të presim zhvillimet e mëtejshme, ndonëse demokratët e kanë humbur shpresën se mund të rikthehet opozita në pushtet. Ndaj kanë nisur të ndjekin interesat e tyre, atë të jetesës si të gjithë shqiptarët e tjerë, të merren me hallet e tyre, që nuk janë halle kullash ai ato të Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, e as miliona eurosh pasuri. Kanë halle më të thjeshta ata.
Përjashtojmë këtu ithtarët e Berishës, ata që kanë gëzuar poste të larta në qeverisjen 8 vjeçare të PD, e kanë ‘ngjyer’ paq, aq sa kanë ngritur biznese apo jetojnë me ato ‘kursime’. Këta luajnë me shansin, të paktën nuk hyjnë në gojën e Berishës për t’i linçuar publikisht si tradhëtarë dhe për t’ju nxjerrë të palarat. Përfitim është dhe ky nga ana e tyre.
Megjithatë, Berisha ia la trashëgim Argitës, vajzës së tij, drejtimin e “Foltores” dhe menaxhimin e këtij grupimi politik. Ia la me ‘testament’ të themi, duke e bërë publike në Kuvendin Kombëtar të këtij grupimi të dalë nga PD. Mister mbetet fakti se përse nxitoi Berisha për ta bërë një gjë të tillë, çfarë parandjeu që zgjodhi pasuese të tij vanzen dhe ‘dogji’ ambiciozin Bardhi. Mos është bërë gati qelia për të? Pasi nga mosha jo, për të vitet janë numra.