Sokol Mjacaj, i cili vrau të dënuarin me burgim të përjetshëm brenda qelisë në burgun e Peqinit, ka mbërritur në Gjykatën e Elbasanit nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga disa makina policie.

FNSH dhe forcat Shqiponjat kanë krijuar Perimetrin e Sigurisë përreth Gjykatës së Elbasanit para fillimit të seancës ndaj 28-vjeçarit.

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Sokol Mjacajt, edhe pse ai është i dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërkohë prokurori i çështjes është Xhelian Seferi dhe gjyqtare, Yrfete Shkreli.

Sokol Mjacaj qëlloi për vdekje me armë të dënuarin me burgim të përjetshëm, Arben Lleshi brenda qelisë në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit dhe plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqja.

Ende mbetet mister fakti se si e ka siguruar armën 28-vjeçari, ndërsa 12 zyrtarë të burgut të Peqinit janë arrestuar nga policia.