Carlo Bollino
Dy herë radhazi, vetëm në tri ditët e fundit, në qendër të Tiranës, persona të panjohur m’u afruan në rrugë duke më kërcënuar dhe ofenduar. Në të dy rastet shprehën mbështetje për “doktorin” dhe sharje dhe kërcënime ndaj meje. Një gjë e tillë nuk më ndodhte që prej 1997-s!”. Prej ofendimeve të përditshme në socialmedia nga ana e militantëve të Berishës që dinë të shkruajnë, tani fjala po i kalon kërcënimeve fizike nga ana e militantëve berishanë analfabetë, të cilët të nxitur nga argumentimet e tij, nuk harrojnë asnjëherë dhe ofendimet raciste si “italjoni…”, sikur unë nuk paskam të drejtë të kem aktivitetin tim në Shqipëri. Për këtë tashmë kam informuar dhe institucionet përkatëse.
Ky përshkallëzim i rrezikshëm është rezultati i një fushate sulmi publik që Sali Berisha ka nisur tashmë ndaj meje prej 15 ditësh, përmes konferencave të përditshme për shtyp, të transmetuara Live në dy tre televizione, në të cilat deliron për toka të grabitura, vjedhje miliardere, krime mafioze, Vkm ilegale, deri në bilance të manipuluara duke më shënjestruar si “hajdut”, “kriminel” dhe “mafioz”. Akuza sa qesharake, aq paradoksale pikërisht sepse vijnë nga kreu i nje familje që në 30 vite ka kryer vetë çdo lloj shkelje, kriminale apo financiare dhe që tani që është në opozitë e që mund të vjedhë më pak, ka krijuar një televizion për propagandën personale me para’ të pista dhe bilance të falsifikuara. Fakti që deri më tani është i pandëshkuar, nuk do të thotë se do të qëndrojë si i tillë edhe në të ardhmen. Por jo për meritën time.
Nuk e kam përgatitur unë dosjen për Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili e shpalli familjen Berisha “non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Nuk e kam përgatitur unë dosjen për qeverinë britanike e cila deklaroi Sali Berishën “person non grata” për lidhjet e tij me krimin e organizuar. Nuk e kam përgatitur unë dosjen për SPAK-un që i ka vendosur masa shtërnguese Sali Berishës dhe dhëndrrit të tij për pastrim parash dhe korrupsion. Dhe as nuk jam unë dëshmitar në atë proces, siç e shpik Berisha “në pretencat” e tij të pabaza.
Problemi është se Berisha, i verbuar nga urrejtja, më konsideron fajtor të halleve të tij personale (si zakonisht duke më mbivlerësuar) dhe për hakmarrje ka nisur këtë linçim publik ndaj meje që po nxit urrejtjen mes militantëve të tij. Duke më dedikuar mua gjashtë konferencat e fundit për shtyp në të vërtetë Berisha po përmbys të gjithë axhendën e opozitës: në vend që të flasë për çështjet supreme që po shtyjnë deputetët e tij të bojkotojnë punimet në parlament duke u përpjekur ta djegin, ai flet për mua!!!Me sa duket, pasi është kompromentuar nga oligarkë, ish ministra (dhe ministra) dhe kriminelë të ndryshëm, kam mbetur vetëm unë e pak të tjerë për t’u sulmuar publikisht. Për të ndjekur etjen e tij për hakmarrje primitive dhe personale, po tradhëton principet e lëvizjes së tij politike dhe po banalizon objektivat e vërteta të protestës së opozites. Skandalet e denoncuara për 10 vite nga opozita e tij pra ishin të shpikura, një tullumbace gjigande shpifjesh që u shfry duke lënë në duart e tij vetëm mua. Të dëgjosh Berishën në këto ditët e fundit, mendohet se problemi më i madh i Shqipërisë është televizioni im dhe ato 4000 m2 me qira mbi të cilin është ndërtuar. Eshtë qesharake edhe ta shkruash një gjë të tillë.
Berisha është i bindur se duke sulmuar çdo ditë Carlo Bollinon mund të fitojë zgjedhjet dhe të kthehet në pushtet! Sa vetë përveç tij dhe dhëndrrit të tij e besojnë këtë me të vërtetë?! Duke parë dhe mesazhet që marr nga deputetë të tij, duket se tashmë është gjithnjë e më i vetmuar në delirin dhe hakmarrjen familjare. Prandaj, le të vazhdojë, pasi me shpifjet e tij jam mësuar prej 30 vitesh.
Por ama duhet të bëjë kujdes, pasi i vetmi rezultat që po arrin me mundim është se po më ekspozon në shënjestrën e ndonjë militanti të vet, ndër më fanatikët. Ndaj për këtë arsye e paralajmëroj publikisht: Çdo gjë që mund të më ndodhë mua, apo televizionit tim, Sali Berisha do të jetë përgjegjës personalisht. Nxitja ndaj urrejtjes dhe dhunës dhe urrejtja me sfond racist vetëm për faktin se jam italian, është e barabartë me kryerjen e saj personalisht!
Sa i takon rezultatit politik që kjo strategji komike dhe e dëshpëruar do të prodhojë, Berisha do t’i japë llogari atyre pak kamikazeve që i kanë mbetur përreth, pas humbjes elektorale te radhës.