Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) Haki Çako, në takimin e Këshillit Teknik Konsultativ (KTK) të mbajtur sot, bëri një përmbledhje të punës së agjencisë deri tani si dhe parashtroi disa projekte për përballimin e emergjencave civile për periudhën e dimrit 2023-2024.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ka bërë një punë kolosale, si në drejtim të kontributit për hartimin e akteve ligjore/nënligjore dhe të dokumenteve strategjike, ashtu edhe në drejtim të fuqizimit të strukturave të Mbrojtjes Civile me burime njerëzore dhe logjistike”, tha ai, duke përmendur veçanërisht hartimin e tre dokumenteve kryesore në fushën e mbrojtjes civile: “Vlerësimin e Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror”, “Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë” dhe “Planin Kombëtar për Emergjencat Civile”.
Kreu i AKMC-së përmendi, ndër të tjera, zbatimin e një projekti pilot në qarkun e Fierit për hartimin e dokumenteve të lartpërmendura në nivel vendor, për të gjitha bashkitë e këtij qarku, ndërsa theksoi se në 11 prefekturat e tjera, AKMC-ja ka organizuar tryeza teknike, ku janë prezantuar 3 dokumentet strategjike kombëtare.
Çako foli gjithashtu për krijimin dhe konsolidimin e strukturave të mbrojtjes civile në të gjitha nivelet që, siç tha ai, “janë ngritur dhe janë funksionale”.
Synimi kryesor për mbrojtjen civile është “parandalimi, si një investim më kosto efektive në terma afatgjatë”, e mbylli fjalën e tij drejtori i përgjithshëm i AKMC-së.