Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka bërë thirrje për rritje të gatishmërisë për luftë, për t’i zmbrapsur ato që i cilëson lëvizje të pashembullta konfrontuese, të udhëhequra prej Shteteve të Bashkuara, ka raportuar media shtetërore verikoreane të enjten. Koreja Jugore, në anën tjetër, është zotuar për hakmarrje të ashpër kundër çdo provokimi prej Koresë së Veriut.
Komentet e Kimit, të bëra gjatë një takimi politik – ku janë shpalosur objektivat për vitin 2024 – kanë dhënë sinjale që Koreja e Veriut do të vazhdojë të kryejë testime bërthamore, për ta modernizuar arsenalin bërthamor. Vëzhguesit kanë thënë se Kimi dëshiron të shfrytëzojë arsenalin e tij bërthamor për të rritur pazarin diplomatik me Uashingtonin, nëse do të ketë dialog mes dy palëve, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në SHBA.
Takimet e Partisë Popullore pritet të zgjasin disa ditë dhe detajet e takimeve do të bëhen publike pas përfundimit të sesioneve, më 31 dhjetor. Ekspertët besojnë se Koreja e Veriut pritet të bëjë zotime dhe hapa drejt rritjes së kapacitetit bërthamor dhe zgjerimit të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, të cilat janë, po ashtu, e rivalizojnë SHBA-në. Agjencia për spiunim e Koresë së Jugut, ka thënë të enjten se ka shumë mundësi që Koreja e Veriut do të kryejë provokime ushtarake dhe sulme kibernetike para zgjedhjeve parlamentare të Koresë së Jugut në prill, dhe para zgjedhjeve presidenciale amerikane, në nëntor të vitit të ardhshëm.
Prej vitit të kaluar, Koreja e Veriut ka kryer disa testime raketore, duke shkelur ndalesat e vëna prej Kombeve të Bashkuara. Javën e kaluar, ky vend e ka testuar raketën më të avancuar që e ka – Hwasong18 – e cila beson se ka kapacitet për të goditur tokën amerikane.
Verikoreanët besojnë se kanë të drejtë legjitime dhe sovrane për të kryer testime të tilla, duke përmendur stërvitjet ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat i konsiderojnë si parapërgatitje të pushtim të tokës së tyre. Lideri verikoren ka refuzuar të dialogojë me SHBA-në, prej dështimit të negociatave më 2019, me Donald Trumpin, atëbotë president amerikan. Çështja kyçe në takimet Kim-Trump ka qenë se si mund të hiqen disa sanksioneve për Korenë e Veriut, në këmbim të çarmatosjes bërthamore së këtij vendi