SPAK ka depozituar këtë të martë në Kuvend kërkesën për autorizim për Sali Berishën ku kërkon masën e sigurisë së arrestit ndaj ish- kryeministrit. Por cila është procedura që ndiqet në raste të tilla nga Kuvendi? Me ndryshimet e reja ligjore, një deputet mund të hetohet apo përgjohet nga SPAK dhe më pas i dërgohen provat Kuvendit duke kërkuar autorizim për arrestimin e tij.

Prokurorët e SPAK duhet të bindin deputetët e Komisionit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet në Kuvend për shkeljet që ka kryer Sali Berisha, për të cilin SPAK, kërkon arrestimin. Fill pas kërkesës së SPAK, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, cakton një orarmbledhjeje të Komisionit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet. Tashmë me mbërritjen e kërkesën së SPAK pritet që Kuvendi të përcaktojë datën dhe orën e kësaj mbledhjeje.

Ligji parashikon detyrimin e prokurorëve të SPAK që të paraqesin para deputetëve provat e siguruara ndaj deputetit Sali Berisha. Në përfundim të mbledhjes, komisioni i paraqet deputetëve të Kuvendit një raport ku përmblidhen pretendimet e palëve.

Pas kësaj, caktohet një seancë plenare ku deputetët votojnë për autorizimin ose jo të prokurorisë për arrestimin e deputetit Sali Berisha.

Edhe nëse Kuvendi e autorizon SPAK-un për arrestimin e tij, ai nuk e humbet mandatin e tij deri në dënim me vendim të formës së prerë përveç rasteve kur e dorëzon vetë. Vetëm këtë vit nga SPAK janë depozituar drejt Kuvendit disa kërkesa për deputetë nga kërkesa ndaj ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj deri te ajo për deputetin Alqi Bllako.