Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë u regjistruan 3016 botime të reja për vitin e shkuar, por vetëm gjashtë prej tyre janë vlerësuar si më të mirat e vitit 2022. Juria e përbërë nga kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, profesori Shezai Rrokaj, përkthyesja Saverina Pasha, shkrimtarja Mimoza Hysa dhe gazetarja Aida Tuçi kanë veçuar pesë më të mirët për çdo kategori, por vetëm gjashtë prej tyre kanë tanimë një çmim për veprat e tyre.

“Një engjëll me frak”, shkruar nga Stefan Çapaliku, romani që rrëfen detaje të jetës së kompozitorit shkodran Preng Jakova, nën emrin e personazhit Pol Jakova është vlerësuar si një ndër veprat më të mira e vitit, por autori përtej ftesës për lexim dhe falënderimeve të rastit gjen vend edhe për një mesazh drejtuar atyre që bëjnë politikat e librit.

“ECO thotë, hiqni taksat për librin. Dua ta përsëris, zero taksa për librin janë zero taksa për leximin”, tha Stefan Çapaliku, shkrimtar.

Për përkthimin më të mirë, u vlerësua Mira Meksi, që edhe nga panairi i nëntorit u vlerësua si shkrimtare.

Shkrimtare, përkthyese “lumturia e të tjerëve” vëllim poetik nga Olimbi Velaj është vlerësuar si më i miri i vitit 2022.

Edi Gogu ka shkruar librin më të mirë për fëmijë gjatë vitit 2022, ndërsa për përmbledhjen me tregime është vlerësuar Behar Jacaj, një shkrimtar i ri në skenën letrare.

Vepra më e mirë studimore këtë fundvit u vlerësuar “ Udhëkryqet e Kristoforit dhe aventura e librit shqip” nga profesor Xhevat Lloshi.

Studiues për të disatin vit, çmimet letrare mbahen në ditët e fundit të dhjetorit edhe si një festë përkujtimi për poetin Lasgush Poradeci, vargjet e të cilit janë interpretuar edhe këtë mbrëmje.