Dhjetori është për shumëkënd muaji më i shumëpritur. Atmosfera e Krishtlindjes dhe ndërrimit të viteve sjell gëzim në çdo familje. Mirëpo, këto momente nuk do të kishin kuptim pa dhuratat. Në ditët e fundit të këtij viti, qytetarët kanë nisur shpenzimet për dhuratat simbolike që gëzojnë familjarët dhe miqtë e tyre.

Dhuratat janë dëshira e çdo grupmoshe, por fëmijët janë më të privilegjuarit në këto ditë festive. Për shumë qytetarë libri mbetet i preferuar për t’u dhuruar. Dhuratat e personalizuara apo punimet me dorë konsiderohen mjaft të veçanta. Anila tregton çdo ditë punimet e saj në shtëpizat prej druri të vendosura te sheshi Skënderbej, ndërsa thotë se qytetarët po i preferojnë gjithnjë dhe më shumë.

“Janë gjëra që njerëzit i pëlqejnë se unë i punoj vetë, nuk i marr me shumicë diku. Mi kanë pëlqyer njerëzit. Kryesisht i kanë marrë për vajzat ose mbesat. Janë dhurata të veçanta.”, tha ajo. Edhe në këto festa lulet janë në listën kryesore të dhuratave. “Për Krishtlindje dhe Vitin e Ri dhurohet shumë kjo lule, është e kuqe tipike dhe sjell mbarësi. Ose marrin dhe kompozime për mes tavoline me bredha dhe qirinj.”, pohoi ajo.

Mes një shumllojshmërie për të zgjedhur, bizhuteritë, aksesorët e zbukurimit apo veshjet, janë gjithashtu preferenca e qytetarëve në këto ditë festive, për të kujtuar dhe vlerësuar të dashurit e tyre.