Vrasjet e fundit që kanë tronditur opinionin publik, ku në përbërje të krimit janë të përfshirë familjarë të vajzave, po japin një mesazh për nevojën e ndryshimit të shoqërisë. Reagimi, sipas ekspertëve të dhunës me bazë gjinore nuk duhet të jetë vetëm pasi ka ndodhur ngjarja, por qasja duhet të jetë sistematike në 365 ditët e vitit, duke nisur nga muret e shtëpive dhe shkollave.
“Ne lindim në një familje, është qeliza bazë e shoqërisë. Rolet gjinore i mësojmë nga prindërit, nëna, babai, motra apo vëllai. Aty mësojmë se si trajtohet një burrë apo një grua. Kjo bën që ne të rrisim djem e vajza që trajtohen ndryshe. Djemtë ndihen më superior, të mos jenë emocionalë, etj, ndërsa vajzat të jenë të kujdesshme të shërbejnë. Vazhdojmë dhe me sistemin arsimor që të mund të përgatiten, të marrin edukatën seksuale, të informohen për barazinë gjinore”, u shpreh përfaqësuesja e UN Women, Irena Shtraza. Me rëndësi është edhe vëmendja institucionale për të parandaluar dhunën që të mos arrihet deri në marrjen e jetës së grave.
“Ka një frikë shumë të madhe për të dalë nga cikli i dhunës, kjo është sfida e parë sepse edhe prindërit nuk janë pranues. Por edhe shpesh sistemi nuk është gati ti mbrojë sikurse duhet. Të ketë mbrojtjen e duhur ligjore, të ketë asistencën psikologjike, strehëzën ku mund të shkojë. Të ketë forcë të mjaftueshme policore që ta mbrojë viktimën vërtetë. Sfidë tjetër është edhe lajmi që shikon se si një grua me urdhër mbrojtje është vrarë, kjo të bën të kesh frikë për jetën e të mos kesh besim te sistemi”, tha Shtraza.
Për Irena Shtrazën, punonjësen e Kombeve të Bashkuara që lufton prej vitesh për barazi gjinore, duhet të vlerësohet me prioritet edhe fuqizimi ekonomik i viktimave të dhunës e në të njëjtën kohë të punohet me mendësinë e të dënuarve.
“Të investohet te programi i rehabilitimi i dhunuesve. Ata futen në sistem, e dalin nga burgu po aq të dhunshëm. Shpesh ata dalin e janë ata që sërish dhunojnë, ku ka pasur raste edhe me fatalitete ku e vrarë gruan si një formë hakmarrje për pasojat që kanë pësuar”, sugjeron Shtreza.