Inter fitoi me rezultatin 4-0 në shtëpi ndaj Udineses duke u rikthyer në vendin e parë të klasifikimit, me 38 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Juventus. Një prej autorëve të golave ishte edhe Federico Dimarco që shënoi të dytin për zikaltërit në minutën e 42 falë një diagonale të saktë brenda zonës kundërshtare.
Pas ndeshjes, mbrojtësi i krahut të majtë zbuloi edhe arsyen e komunikimit me Kristjan Asllanin pasi shënoi golin. Për Inter TV, Dimarco theksoi se Asllani e kishte parashikuar golin e tij ndërsa shtoi se skuadra zikaltër po tregon mentalitetin e duhur në këtë kampionat.
“Gjatë javës Asllani e kishte parashikuar golin tim dhe më kishte thënë se do të shënoja. Jam shumë i lumtur për golin, por edhe për skuadrën. Po tregojmë mentalitetin e duhur. Po luajmë mirë dhe në këtë formë po vijnë edhe rezultatet.
Krahasimi me Recoba dhe Roberto Carlos? Nuk më pëlqejnë krahasimet, edhe pse normalisht që më bëhet qejfi. Janë lojtarë të cilët kanë bërë historinë e Inter, më vjen mirë që tifozët mendojnë se qëndroj përkrah tyre.
Megjithatë, unë këtë rol e interpretoj sipas mënyrës sime. Kërkoj edhe pjesën e brendshme të fushës, jo vetëm në anësore. Mendoj të krijoj pika pasimi dhe t’i krijoj hapësira shokëve, dua të luaj gjithmonë për të mirën e skuadrës.
A do të na bezdisë Juventusi për titullin? Nuk e di, janë të fortë ashtu si Milan, Napoli dhe Roma. Por, ne duhet të mendojmë për skuardën tonë pa hedhur sytë nga të tjerët”, u shpreh Dimarco.