Ish-kryeministri Sali Berisha, pas betejës së nisur me qeverisë dhe palën tjetër të PD-së së Lulzim Bashës, kësaj here ka pasur edhe një paralajmërim edhe për SPAK.
“Do i përgjigjemi siç e meriton”, ka thënë Berisha, duke mos thënë më shumë se çfarë parashikon të bëjë. Kjo përgjigje për Berishën do t’u jepet nesër, e ndërsa e ka quajtur SPAK edhe si një organizatë kriminale që po fsheh autorët e vërtetë të Inceneratorëve.
“SKAP-i do marrë një përgjigje nesër. Se ne nuk kishim reagimin e SKAP-it. Nesër do i japim një përgjigje të plotë këtij organi kriminal, që është shndërruar në një xhelat të së drejtës dhe ligjeve, në një mburojë kriminale të vjedhjeve më të mëdha në kurriz të shqiptarëve.
Do i japim përgjigje pikë për pikë. Sipas gjykatëses dhe SKAP-it, fajin na e paskan tani këta ushtarët këtu poshtë që kanë propozuar 8 përqindëshin, në një kohë kur Edi Rama kishte shkresën e Felajt, që thoshte se nuk mund të jepet asnjë pikë sepse kompania nuk ekziston. Nëse kompania nuk ekziston, duhej të ishte vetëm në mendjen e Edi Ramës, se njeri në botë që mund të impononte kryeministrin të firmoste për një kompani që nuk ekziston, nuk ka.
Por kur janë në lojë interesa madhore, fantazia bëhet realitet dhe ai firmos. Edhe kjo merret me Lefterin, me ministrat, por nuk thotë Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Artur Metanin. Këta ishin tre personat që e hiqnin menjëherë nga rendi i ditës dhe e hidhnin në kosh propozimin. E para, ta supozojmë se nuk kishin njoftim, ata janë të detyruar të verifikojnë. Por ata kishin një njoftim nga një ministre që u thotë. Si ministre ajo nuk ka firmosur, ka vënë të firmosë Rovena Vodën, shefen e kabinetit. Nuk ndodh kurrë. Të firmosë për ministren, shefja e kabinetit, kjo vetëm me Edi Ramën ndodh.
Vetë nuk firmosi kur firmosën ministrat, në Këshill të Ministrave ajo e ka çuar shkresën, ka larë duart. Por Edi Rama nuk e ka përfillur. I vetmi urdhër që i është dhënë Vodës të firmosë pse nuk firmos Felaj, ka bërë që ajo të firmosë nga Edi Rama. Gjithçka do të thotë se është Edi Rama strumbullari i këtij bonusi. Të njoftojnë si kryeministër, të thonë që nuk ekziston dhe ti firmos? Ti kryen një krim për vendin tënd.
Dhe këtej dalin tani Arben Kraja, Dritan Prençi dhe gjykatësja që fshihet pas krimit, këta kanë kryer një krim po kaq monstruoz, këta të tre. Nuk thonë që Edi Rama megjithëse kishte dijeni, e firmosi.
Nuk thonë që Erion Veliaj mashtroi, se nëse nuk mashtronte Veliaj se do paguhen 91 milionë euro nga qarku i Tiranës dhe Bashkia e Tiranës, ajo nuk kalonte kurrsesi. Ministria e Financave e hodhi poshtë 5 herë atë. Nuk thonë. Është gjithçka se si të mbrojnë Erion Veliajn pasi ai me Edi Ramën është aksioner kryesor në këtë aferë.
Por SKAP-it do i përgjigjemi nesër. Ta studiojmë me vëmendje dacibaon e tyre dhe do u përgjigjemi siç e meritojnë”, tha Berisha.
Një ditë më parë, SPAK lëshoi 15 udhër-arreste në vazhdim të hetimit të nisur që në 2020 për Inceneratorin e Tiranës. Në total janë ekzekutuar 7 masa ‘arrest me burg’, 5 ‘arrest shtëpie’ dhe 3 janë në kërkim.