Këngëtarja me famë botërore, me rrënjë shqiptare, Dua Lipa, pritet të bëhet këngëtarja më e paguar në Britani të Madhe, pasi bizneset e saj patën më shumë fitime sesa megaylli Adele.

Sipas të dhënave që publikoi “The Sun”, ylli që bëri edhe një nga kolonat zanore të filmit të shumëpërfolur “Barbie”, fitoi afro 68 milionë funte britanike duke ia kaluar shumës që fiton kolegia e saj Adele.

Përderisa Dua ende jeton në Britani, Adele tani jeton në SHBA, ku po korr sukses të madh duke arritur fitim të madh prej shfaqjeve të saj që ka bërë në Las Vegas.

Pasuria totale e Adeles ia kalon asaj të Duas, por vlera e kompanisë së shqiptares ka arritur trefish më shumë fitime vetëm në tre vjet ekzistencë.

Të dhënat tregojnë se kompania e Duas “Radical22 Ltd” pati pasuri neto prej 29.9 milionë funtesh në dhjetor 2022, nga 11.6 milionë funte sa pati në vitin 2019. Fitimet u rritën me 8.3 milionë funte në një vit nga viti 2021. Ndërkohë, Adele ka parë pasuritë në tre firmat e saj të arrinin 50 milionë funte pas suksesit të albumit të katërt. Të dhënat për kompanitë e Adeles, “Melted Stone”, “Melted Stone Publishing” dhe” A Adkins Touring” tregojnë se ato u rritën në vlerë prej 20 milionë funtesh.

Kompania “Radical22” e krijuar nga Dua bashkë me babanë e saj, Dukagjinin, dhe me vlerë më pak se 500 mijë funte në vitin 2016, tani ka 9.84 milionë funte para në dorë. Kjo kompani kap vlerën e 21 milionë funteve, duke përfshirë edhe një bllok banesash të stilit “Viktorian” që Dua bleu në lagjen Camden, në veri të Londrës.

Por ky total nuk përfshin fitimet nëpërmjet një kompanie të veçantë. “Radical22 Live” pati pasuri prej 38.56 milionë funte në vitin 2022, nga 32.48 milionë funte në vitin 2021.

Dua parashikohet gjithashtu të ketë një tjetër sukses të madh pasi u shfaq si sirenë në filmin “Barbie” dhe bëri kolonën zanore me hitin “Dance The Night”.

E lindur në Londër nga prindër shqiptarë, ajo thuhet se fiton 10 milionë funte në vit nga rrjetet sociale.

Në korrik, ajo arriti një marrëveshje shtatë-shifrore me brendin e veturave “Porsche” dhe ka bashkëpunime edhe me marka të tjera.

Ajo mbledh gjithashtu para çdo vit për bamirësi në Kosovë, përmes fondacionit “Sunny Hill”.

Përfaqësuesi i saj nuk pranoi të komentonte.