Platforma Spotify është duke publikuar statistikat vjetore të dëgjimeve për secilin artist.
Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, ka vënë një rekord të ri me statistikat e saj mbresëlënëse në këtë platformë muzikore, të cilat ajo i ndau me ndjekësit në Instagram.
Sipas demografikave të publikuara, këngët e Dua Lipës janë dëgjuar plot prej 3.2 miliardë herë në të gjithë botën gjatë këtij viti, me një total prej 211.1 milionë dëgjuesve dhe 195.5 milionë orë të kaluara duke dëgjuar muzikën e saj nga 184 vende të ndryshme të botës.
Këto shifra të jashtëzakonshme tregojnë ndikimin e saj të vazhdueshëm në skenën globale dhe aftësinë për të çuar muzikën përtej kufijve tradicionalë.
Ndonëse këtë vit ajo nuk ka pasur prurje të mëdha muzikore, numrat kanë qenë befasues për këngëtaren shqiptare.
Shumë nga ky sukses vjen falë këngës së saj “Dance The Night”, e cila është kolona zanore e filmit më të shikuar të vitit, senzacionit “Barbie”.