Shkencëtarët kanë zbuluar një planet jashtëzakonisht të madh, aq sa e kanë të vështirë ta besojnë se ekziston!
Në një studim të ri të botuar në revistën “Science”, zbuluesit thonë se ky planet me madhësinë e Neptunit, pra 13 herë më i madh se Toka, rrotullohet rreth një ylli të vogël ultra të ftohtë që është 9 herë më i vogël se Dielli ynë.
Ky zbulim është i jashtëzakonshëm sepse raporti i masës midis planetit dhe “yllit xhuxh”, i quajtur LHS 3154, është 100 herë më i madh se i njëjti raport që Toka ka me Diellin, gjë e cila konsiderohej e pamundur.
Formimi i yjeve kërkon re të mëdha gazi dhe pluhuri qiellor, dhe sapo lind një yll, mbetjet e lëna pas formohen në disqe që rrotullohen rreth tij dhe përfundimisht bashkohen në planetë. Ky çift i ri planet-yll është i veçantë, sepse disku i pluhurit nuk duket aq i madh sa të ketë krijuar një planet kaq gjigant.
“Disku i formimit të planetit rreth yllit me masë të ulët LHS 3154 nuk ka masë të mjaftueshme të ngurtë për të krijuar këtë planet,” tha Suvrath Mahadevan, një profesor i astronomisë dhe astrofizikës në Penn, i cili është bashkëautor i punimit Science.
“Por ja fakti, kështu që tani na duhet ta rishqyrtojmë mënyrën si formohen planetët dhe yjet”, shton ai.
I quajtur “LHS 3154b” sipas yllit të tij, ky planet i madh, u vu re duke përdorur një spektrografi astronomike në Observatorin ‘McDonald’ të Universitetit të Teksasit që është funksional që nga viti 2018. Udhëhequr nga Mahadevan, instrumenti është i ndërtuar për të zbuluar ekzoplanete që rrotullohen rreth yjeve tepër të ftohtë që mund të jenë vende me jetë.
Pavarësisht shumë pikëpyetjeve, është një zbulim i rrallë e njëkohësisht emocionues!