Izidor Heta, është efektivi i Policisë Rrugore në Elbasan, që u përplas mbrëmjen e kaluar me makinën e Gardës në Selitë, që po shoqëronte makinën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, Irena Gjoka. Ndërsa shoferi i mjetit ku ndodhej djali i gjyqtares ishte Ardjan Disha.

Automjeti është goditur nga mbrapa teksa ishte në lëvizje në zonën e Selitës në Tiranë, por fatmirësisht pa u lënduar asnjë person.

Për rastin ka nisur një hetim i plotë edhe për shkak të situatës dhe sulmeve të vazhdueshme ku gjendet aktualisht gjyqtarja, e cila ka caktuar masat ndaj Sali Berishës në hetim për aferën Partizani. Nga hetimet e deritanishme gjithçka i lihet aksidentales.

Në dëshminë e dhënë, sipas TCH, polici është shprehur se teksa po drejtonte makinën humbi kontrollin për shkak të shiut, duke ia lënë fajin “rrugës”. Paraprakisht, dyshohet se efektivi, që është prezantuar si polic nga Elbasani, po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara.