Avokati Idajet Beqiri mendon se opozita po i vuan qëndrimet e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili edhe pse nën akuzë zyrtare, nuk pranon t’i dorëzohet kërkesave të SPAK-ut.

Sipas Beqirit, përveç humbjes së mbështetjes publike, as aleatët e Berishës nuk kanë si ta mbrojnë në pozitën ku ai ndodhet prej më shumë se dy vitesh, që kur u shpall non-grata për korrupsion familjar nga autoritetet amerikane.

“Berishën e dënuan me vdekje dhe e mori plumbin për vdekje fizike me non-grata amerikane. Lulzim Basha e bëri edhe fakt të kryer, se e varrosi duke e përjashtuar nga PD-ja dhe grupi parlamentar. Ai po bën një luftë me mullijtë e erës: një Don Kishot i cili del sot me ushtarët e tij besnikë, sepse vetëm Parti Demokratike s’ka atje, dhe del me ta që nuk janë Partia Demokratike.

Një parti politike e regjistruar në gjykatë nuk del kurrën e kurrës të bëjë protestë kundër institucioneve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë: nuk bën protestë kundër SPAK, kundër Gjykatës në një kohë kur të kërkohet autorizimi për heqjen e imunitetit, por një forcë serioze i thotë atij që e udhëheq si protestë ‘zotëri, shko mbrohu ligjërisht atje, mos na fut në qorrsokak’.

Ata që e ndjekin nga mbrapa shikojnë edhe një gjë tjetër: ky person ka aleatë, ka edhe deputetë në gjirin e vet. Por si del vetë dhe bën thirrje: të paktën të dalin aleatët, Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard Ndoka, Ilir Meta, dikush tjetër dhe të thonë ‘kjo është politike’. Por të tërë janë futur nëpër ferra. Është një betejë me mullijtë e erës,” u shpreh z. Beqiri.

Demokratët po trashëgojnë një “minë me sahat” nga Berisha, shtoi z. Beqiri.

“Asnjë trashëgimtar nuk e çel dëshminë e trashëgimisë për këtë farsë që ka lënë mbrapa Saliu. Është një minë me sahat. Nuk vete njeri pas zjarrit, pas krimit, pas kësaj trashëgimie që ka krijuar Berisha, nga më të zezat e këtyre tridhjetë viteve. Erdhi në pushtet me gjak dhe krim, nga 2 Prilli dhe 26 Maji i 1995, piramidat, Gërdeci dhe privatizimet që e shitën Shqipërinë.

Ai e di që tani që u hap rruga, SPAK i ka duart e lira, sepse nuk i takon më Parlamentit për autorizim për aferën CEZ-DIA, për Gërdecin, për vrasjet e marsit 1997, për grushtin e shtetit si një turp kombëtar. U hap shtegu dhe këto janë vepra penale për të cilat nuk do të kërkohet më masë sigurimi,” shtoi avokati.