Të hënën Këshilli i Mandateve do të diskutojë për mandatin e Sali Berishës, për të cilin SPAK ka kërkuar autorizim nga Parlamenti. Por pikërisht në këtë ditë, ku do të diskutohet për heqjen e imunitetit, deputetët e Partisë Demokratike do të mungojnë në këtë mbledhje.
Sipas gazetarit të News24, Osman Stafa në mbledhje do të shkojë vetë Sali Berisha për të mbrojtur veten.
Ndërkohë gjatë raportimit të Berishës përballë deputetëve socialistë, janë ftuar mbështetësit për të protestuar jashtë sallës së ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë.
Po ashtu gazetari Stafa informon se deputetët e grupimit të Gazment Bardhit nuk do ta mbështesin protestën që pritet të zhvillohet gjatë ditës së hënë.
Kujtojmë që SPAK kërkoi ashpërsim të masës ndaj Sali Berisha pasi ai refuzoi të paraqitej dy herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore me pretendimin se ishte shkelur Kushtetuta pa marrë më parë vendimin e Parlamentit. Tani, SPAK kërkon masën e sigurisë së “arrestit në shtëpi, ose be burg” ndaj Sali Berishës.