Ngjarja që tronditi Prishtinën pak net më parë mori një tjetër kthesë pasditen e kësaj të premteje. Liridona Murseli e cila fillimisht tha se u vra për ta grabitur në sytë e dy fëmijëve të saj dhe të bashkëshortin, në fakt kishte një tjetër prapavijë dhe porositësi i krimit ishte hiç më pak se bashkëshorti, me të cilin kishte ndarë jetën vitet e fundit dhe kishte sjellë në këtë botë dy fëmijë.

Ngjarja si një triller filmash, me protagonistë jo skenaristë dhe aktorë, u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në kryeqytetin e Kosovë. 30-vjeçarja u qëllua për vdekje brenda makinës nga ajo që Naim Murseli tha se ishte grabitje.

Por ndërsa gruaja gjeti vdekjen e menjëhershme, bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët nuk pësuan asnjë lëndim nga ai që rezultoi të mos ishte grabitës por vrasës me pagesë. Policia e Kosovës zbardhi krimin gjatë ditës së sotme dhe rezultoi që Granit Plava qëlloi disa herë me plumba 30-vjeçaren, Liridona. Ai që në pamje të parë u duk si grabitës, u kujdes që plumbat që kapnin vetëm gruan dhe gjithë aktin e rëndë e ndërmori kundrejt një shume prej 30 mijë eurosh, një pjesë të të cilave siç ka deklaruar i ka marrë ndërsa pjesën tjetër do t’i merrte.

Ndërsa ende nuk dihen motivet që qëndrojnë pas vrasjes së nënës së dy fëmijëve, ajo që shihet në profilin e Naim Murselit në Facebook, është një jetë aktive në rrjetet sociale. Fotot dhe urimet për bashkëshorten nuk mungojnë, e madje në një prej ditëlindjeve të saj ai i “uron edhe 100 vite”, ndërkohë që do të ishte vetë ai që do t’ia merrte jetën në një moshë fare të re.

Në profilin e tij në facebook, Murseli për shkak edhe të angazhimit pranë njeriut më të pasur të Kosovës, ka hedhur foto me personalitete nga më të ndryshme politike dhe jo vetëm. Murseli ka publikuar fotografi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Presidenten Vjosa Osmani.

Me një shikim të shkurtër në profilin e tij në “facebook”, shihen fotografitë e shumta që Murseli ka publikuar nga jetesa luksoze që ka bërë, në Suedi, por edhe në udhëtime të ndryshme bashkë me Pacollin.

Të shumta janë edhe fotografitë e tij me gruan, Liridonën, e cila është varrosur në fshatin e tij të lindjes në Gjakovë dhe Murseli ishte një nga ata që priste dhe përcillte për ngushëllime njerëz të shumtë. Ngjarja makabre të kujton rastin e pilotit grek, Babis i cili vrau bashkëshorten e tij 20-vjeçare dhe e inskenoi si grabitje. Ngjarja e rëndë u regjistrua në maj të vitit 2021 dhe u zbulua nga hetuesit rreth një muaj më vonë.

“Grabitja” e stisur në Prishtinë ndërkohë zgjati vetëm pak më shumë se 24 orë dhe pas ceremonisë mortore ndaj nënës së fëmijëve të vet, Naim Murseli shkoi në qelitë e burgut. Ndërsa piloti grek kishte një lidhje paralele dashurie, për Murselin ende nuk dihet se çfarë qëndron pas aktit makabër që ndërmori.