Forcat e Armatosura në Shqipëri tashmë kanë një muze tërësisht të ri, i cili ndodhet në Bërzhitë.
Në inagurimin e muzet ku u shpalosen një sërë detajesh nga historiku i ushtrisë shqiptare ndër vite, ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ministrja për Rininë Bora Muzhaqi, ish – ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, deputetë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Manushaqe Shehu si dhe komandantë të forcave të ndryshme.
Ata vizituan muzeun që është i ndarë në 5 pavijone, në të cilat janë të ekspozuara objekte, informacione për historinë ushtarake, ilustrime me harta dhe foto, që nga ilirët e deri në ditët e sotme.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u foli të pranishmëve për funksionet e këtij muzeu, jo vetëm si qendër për vizitorët e shumtë, nxënës të shkollave, apo edhe turistët e huaj, por edhe si qendër aktivitetesh të ndryshme.
Në pavijonin e parë janë të ekspozuara rreth 110 objekte që prezantojnë momentet më rëndësishme të historisë së Shqipërisë si Epoka e Skënderbeut, Pashallëqet, Lidhja e Prizrenit, Pavarësia dhe Lufta e Dytë Botërore. Pavijoni i dytë dhe i tretë që ndodhen në katin e dytë të godinës kryesore ekspozon rreth 700 objekte të periudhës së Ushtrisë Popullore.
Pavioni i katërt ose ndryshe pavioni i NATO-s ka të ekspozuar armë dhe objekte të teknologjisë së fundit, që përdoren edhe nga ushtritë anëtare të NATO-s.
Ndërsa në pavionin e pestë, që ndodhet në një godinë tjetër ka objekte të detarisë dhe aviacionit. Për të pranishmit në këtë ceremoni ishte rezervuar edhe një koncert nga artistët e qendrës së kulturës në Forcat e Armatosura.