SHBA thekson se po ndjek nga afër procesin lidhur me garën e prokurorëve për tre vendet e fundit vakante në SPAK. Në një reagim në rrjete sociale, ambasada amerikane në Tiranë shprehet se Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e prokurorëve më të kualifikuar.
“Ambasada Amerikane po ndjek nga afër intervistat dhe vlerësimet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kandidatët për prokurorë që aplikojnë për tre vendet vakante të fundit në SPAK. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces vendimtar të rezultojë në përzgjedhjen e atyre prokurorëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të guximit, profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe mbështet shtetin e së drejtës. SPAK mbetet një pjesë kritike e kësaj përpjekjeje.”, thuhet në reagimin e ambasadës.