Udhëheqësi i Federatës Ruse, Vladimir Putin, mund të sulmojë Evropën në 2024 ose 2025.
Sipas një shkrimi të gazetës gjermane “Bild” Putin do të presë momentin kur Shtetet e Bashkuara do ta gjejnë veten “pa një lider” dhe nuk do të jenë në gjendje të ndihmojnë shpejt partnerët e tyre për të frenuar Rusinë.
Kjo mundësi po shqyrtohet nga një prej agjencive evropiane të inteligjencës, shkruan “Bild”, në sfondin e supozimeve të kreut aktual të Ministrisë së Mbrojtjes gjermane se NATO dhe BE kanë të paktën 10 vjet rezervë.
“Domethënë, ne po flasim për periudhën midis momentit kur presidenti aktual i SHBA do të largohet nga detyra në fillim të nëntorit 2024 dhe momentit kur një pasardhës i mundshëm do të zërë vendin e tij në janar 2025”, shkrimi tregon për “skenarin dramatik” për sulmin e Putinit.
Në të njëjtën kohë, autoritetet ruse presin që karrigia e presidentit amerikan të pushtohet sërish nga Donald Trump, sepse “çdo gjë mund të ndodhë gjatë mandatit të tij”.
Boris Pistorius në një nga intervistat e tij të fundit për mediat gjermane tha gjithashtu se Berlini ka 5-8 vjet për të rikthyer forcën e dikurshme të ushtrisë së tij.
Gjermania do të ridislokojë 4000 ushtarë të Bundesëehr-it në Lituani si pjesë e forcimit të krahut lindor të NATO-s deri në vitin 2027. Brigada është planifikuar të vendoset në kufirin me Rusinë, njoftoi Pistorius.
Ministri theksoi gjithashtu se në Gjermani duhet të rikthehet rekrutimi i detyrueshëm ushtarak.