Kundërshtimi i Gjermanisë ndaj bllokadës që Greqia i ka bërë Shqipërisë për hapjen e kapitujve me BE-në, mesa duket nuk po kapërdihet nga Athina zyrtare.

Gazeta greke ‘Kathimerini’ në një artikull të publikuar ditën e sotme me titull ‘Berlini, Edi Rama dhe prapaskenat”, ka analizuar faktin se pse kancelari gjerman Olaf Solz e mbështeti plotësisht procesin e anëtarësimit të Shqipërisë pavarësisht bllokadës greke për shkak të çështjes Beleri.

“Mbështetja e Kancelarit Olaf Scholz për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërkohë që ai ishte në dijeni të vetos greke që lidhet me betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, nuk ishte një rrufe në Athinë. Javët e fundit kanë mbërritur mesazhe nga Berlini dhe Uashingtoni që Athina duhet të tregojë se po negocion me Ramën. Përgjigja nga Athina ishte e njëjta, që Fredi Beleri të betohet, të ketë një gjykim të drejtë dhe të respektohet prezumimi i tij i pafajësisë”, shkruan “Kathimerini”.

Më tej gazeta greke nënvizon se 2 arsye përse Kancelari gjerman shprehu hapur kundërshtimin e tij ndaj Greqisë.

‘Arsyet pse Scholtz zgjodhi të shprehte kaq hapur kundërshtimin e tij ndaj Athinës janë dy llojesh. E para ka të bëjë me investimin e vetë Shqipërisë në reformimin e sektorit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vend. E ashtuquajtura Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit, të cilën zakonisht e përshkruajmë shkurt me inicialet SPAK, e cila nuk i ka dhënë leje Fredi Belerit të kryejë betimin, në fakt është një organ i formuar me njohuri anglo-saksone dhe financim dhe mbështetje gjermane. Prokurorët janë trajnuar në akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia në SHBA, por edhe në Zyrën e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar në Londër. Si për amerikanët ashtu edhe për gjermanët, SPAK është shembulli më i suksesshëm i reformës në Ballkanin Perëndimor dhe as nuk e kuptojnë se mund të bëhet një mjet shfrytëzimi politik që nxjerr në pah kryesisht naivitetin perëndimor për situatën në Shqipëri.

Sa i përket arsyes së dytë të kundërshtisë gjermane, sipas Kathimerini, është më së shumti politik dhe më pak teknik, ndërs akujton darkën që organizoi Mitsotakis e nuk ftoi kryeministrin shqiptar Edi Rama.

“Gjermania e kishte shprehur pakënaqësinë që në Gusht kur Kryeministri grek Mitsotakis organizoi samitin e Ballkanit Perëndimor në Athinë, me pjesëmarrjen edhe të Presidentit ukrainas, por nuk ftoi Kryeministrin Edi Rama. Disa javë më vonë në Tiranë u mbajt samiti i Procesit të Berlinit. Një arsye kryesore, që tregon gjithashtu përpjekjen shpesh të nxituar gjermane, është situata në Ballkanin Perëndimor pas Shkurtit të vitit 2022 të pushtimit rus në Ukrainë. Gjermania, e cila deri atëherë kishte hezituar, u kthye fuqishëm në anën e atyre shteteve që dëshirojnë integrim të shpejtë dhe të menjëhershëm (dhe pa shumë kushte) në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan ndër të tjera “Kathimerini”.

Media greke e mbyll artikullin duke thënë se në kampin shqiptar, qeveria mban tone të ulëta.

“Një ditë më parë në një konferencë për shtyp, Kryeministri Rama e cilësoi Mitsotakisin mik dhe theksoi se sipas tij çështja Beleri mund të zgjidhet mes dy shteteve dhe jo përmes BE-së”, thekson Kathimerini.