Fatmir Mediu ishte i pranishëm në seancën për Gërdecin ku ishte thirrur për të dëshmuar edhe Shkëlzen Berisha, i cili nuk u paraqit. Mediu thotë se sot ka vënë në dispozicion të hetimeve edhe një dokument të policisë ushtarake, ku thuhet se përpara se të bëhej demontimi kishte filluar puna për prishjen e objektit në mënyrë të kundraligjshme.
I pyetur nëse do te jetë përballë Shkëlzen Berishës, Mediu u shpreh: “Do të jem në çdo seancë që do trajtohet çështja e Gërdecit”.
“Dua të dalë e vërteta për procesin. U provua se Mediu ka vepruar në respekt të ligjit, për detyrimet e BE dhe të plotësimit të akteve ligjore. Ka pasur marrëdhënie korrekte me strukturat civile dhe ato ushtarake. Nuk ka pasur asnjë reklamim te ministri i Mbrojtjes. I vura dhe sot një dokument të policisë ushtarake, që kishte nisur kompania të niste shembjen e paligjshme të godinës. Do të paraqitem në çdo seancë. Çfarë ka nevojë sot?! Ky demontim ishte çështje sigurie apo e kërkesave të partnerëve tanë! Kërkesa e kompanisë amerikane ka qenë e vlerësuar sipas procedurave dhe më pas se si u përzgjodh vendimi i demontimit. Skam bërë as më shumë dhe as më pak se detyrën time! Dua të sqaroj një herë e përgjithmonë se për transportin, e thotë rregullorja. Në ministrinë e Mbrojtjes transporti është bërë nga Forcat e armatosura të armatimeve. Do të jem në çdo seancë që trajtohet çështja e Gërdecit. Në muajin maj më është raportuar për ndërtim të paligjshëm në Gërdec. Po flas qartë, kompania kishte bërë shkelje. Ky vjen si shqetësim i Policisë Ushtarake, dhe nuk e vendos unë gishtin e akuzës. Nuk ka një akt që të kem neglizhuar.”, tha Mediu.