Gjykata Speciale ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Vendimi është marrë nga gjykatësi Charles L.Smith, i cili ka arritur në përfundim se është i pamjaftueshëm argumenti i Prokurorisë se Thaçi dhe Veseli ‘mund të arratisen nga drejtësia’ nëse lihen të mbrohen në liri, por që ata mund ta pengojnë mbarëvajtjen e procedurave.

Po ashtu kanë konstatuar se ‘ekziston një rrezik i madh që z. Thaçi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DHS’ dhe ai mund të kryejë ‘krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova’, thuhet ndër tjerash në vendim.

Edhe në vendimin për Veselin, thuhet se ‘Paneli është i bindur se ekziston rrezik se z. Veseli do të pengonte mbarëvajtjen e procedurave të DHS dhe se do të kryente krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqiten’.