SHQIPËRI- Të mërkurën, në orën 11:00, do të mbahet seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha për miratimin e kërkesës së Prokurorisë për “arrest shtëpie” për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Të martën seanca u shty dhe shkak u bë kërkesa e avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan më shumë kohë, që të njihet me aktet dhe provat e paraqitura nga Prokuroria.

Ata po ashtu kërkuan përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka me pretendimin se kjo e fundit ka konflikt interesi me ish-kryeministrin, i cili sipas tyre e ka shkarkuar nga detyra në 1996.

Por sipas kësaj shkrese të Këshillit të Lartë Gjyqësor rezulton se Irena Gjoka është shkarkuar në shkurt të 1996-tës nga detyra e gjyqtares se Fierit nga Sali Berisha, kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Por 6 muaj më vonë është emëruar serish në të njëjtën detyre në Gjykatën e Gjirokastrës, po nga Sali Berisha që vazhdonte të drejtonte KLD. Ky riemërim bën të pakuptimta pretendimet për shkarkim dhe për konflikt interesi mes ish- Presidentit tashmë nën hetim dhe gjyqtares që sot ka në dorë dosjen e tij.

Kuvendi të premten e shkuar vendosi me 75 vota pro heqjen e imunitetit duke vendosur kështu Sali Berishën në dorë të drejtësisë. Sakaq, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar “arrest shtëpie” për Berishën, me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit.