Pezullimi për shkak të basteve sportive po përfundon dhe bashkë me të mund të vijë transferimi tek Arsenali. Ivan Toney po sheh dritë në fund të tunelit, ndërkohë që prej 17 janarit të vitit të ardhshëm mund të fillojë të luajë sërish.
27-vjeçari me origjinë nga Xhamajka, është një nga të preferuarit e Mikel Artetës, por përveç Gunners e do edhe Chelsea. Që po kërkon për një sulmues në merkaton dimërore. Arsenali po garon në Premier League dhe Champions League, dhe tekniku spanjoll ka nevojë për një kontingjent sa më të pasur futbollistësh. Toney qëndron në krye të listës së dëshirave.
Dhe nga ishulli raportohet se drejtuesit e nënkampionëve të Anglisë janë gati t’i ofrojnë 100 mln paund Brentfordit për ta lënë të lirë.
“Jam i emocionuar për rikthimin e Toneyt. Duke e parë në stërvitje më krijohet përshtypja se ai nuk ka pushuar kurrë së luajturi. Shoh ambicie të mëdha në sytë e tij dhe besoj se do të kthehet më i fortë se më parë.
Natyrisht që ka interes për të në merkaton e janarit. Sipas mendimit tim, ai është një nga pesë sulmuesit më të mirë në botë dhe për këtë arsye një ditë do të vijë transferimi i tij në një klub tjetër. Por, për ta bërë këtë ata që e duan do të duhet të paguajnë një shumë të madhe”, u shpreh Lee Dykes, drejtori teknik i klubit të Brentfordit.