Kukës, 15 Dhjetor – Hap dyert shkolla e mesme e rikonstruktuar “Havzi Nela” në Kukës, e shndërruar në një shkollë të standardeve evropiane, me mjedise moderne, të pajisura me laboratorë të IT dhe të shkencave, bibliotekën dhe palestrën e re.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj shkolle, morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Drejtuesi i politik i PS-së në Kukës Pandeli Majko, Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj, mësues, nxënës dhe ish-nxënës të këtij gjimnazi.
“Sot është një ditë e bukur për Kukësin. Gjimnazi me histori “Havzi Nela” sot hapet zyrtarisht me kushte tërësisht bashkëkohore, që i meritojnë padyshim nxënësit tanë, i meritojnë mësuesit tanë, që i meriton komuniteti i Kukësit”, – u shpreh në fjalën e saj Ministrja Manastirliu.
Nga Kukësi, Ministrja e Arsimit dhe Sportit foli për programin e qeverisë për rehabilitimin dhe rindërtimin e shkollave të reja.
 “Do të vijojmë investimet në kantierin e arsimit edhe për vitin 2024. Ne buxhetin e ri planifikojmë që jo vetëm të përfundojmë investimin ne 30 shkolla, që janë kantiere tashmë të hapura në vend, por dhe të vijojmë me fazën tjetër, ku në bashkëpunim me bashkitë do të kemi sërish investime për rindërtimin e shkollave tona, në mënyrë që të gjitha shkollat, qofshin ato në qytete, qofshin në zona të thella, të kenë të njëjtin standard”, tha Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit foli edhe për rritjen historike të pagave për mësuesit, me buxhetin e ri 2024.
Drejtuesi i politik i PS-së në Kukës Pandeli Majko, ka vlerësuar investimet në arsim në qarkun Kukës: “Nuk mund të mungoja në këtë ngjarje kaq të rëndësishme, jo vetëm për gjimnazistët që stuidiojnë tek “Havzi Nela” por edhe për ata të cilët kanë studiuar në këtë gjimnaz”.
Kryetari i Bashkisë Kukës, Albert Halilaj e ka kosnideruar investimin në shkollën ‘Havzi Nela” një investim për brezat e ardhshëm.
“Jam i lumtur që jam pjesë e inagurimit të këtyre ambientve bashkëkohore për nxënësit tanë. Kjo shkollë do të jetë një hap drejt një arsimi cilësor dhe për brezat e ardhshëm”,- tha kryetari i Bashkisë Kukës.
Shkolla “Havzi Nela” pas rikonstruksionit të plotë, finacuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Bashkia Kukës, me kushte dhe standadet më të mira, i shërben mbi 1,000 nxënësve dhe mësuesve. Rikonstruksioni i shkollës ka përfshirë edhe ndërtimin e palestrës së re me sipërfaqe totale 315 metër katror. Po kështu gjatë vitit po rikonstruktuhet në Kukës edhe shkolla e mesme e përgjithshme “Bajram Abdiu” në Bicaj dhe në total janë pesë shkolla të reja të rikonstruktuara në Kukës.