Florent Hasani do të nisë një aventurë të re në janar. Një ndër lojtarët më të mirë të Superiores, është shumë pranë transferimit në Rumani.
Për sulmuesin e Tiranës interesohen disa klube, por gazetari i SuperSport, Jurgen Zela mëson se në avantazh për të siguruar shërbimet e tij është Rapidi i Bukureshtit.
Drejtuesit e klubit rumun, ku bën pjesë edhe Albion Rrahmani, po bisedojnë me homologët bardheblu. Dhe negociatat janë në fazën përfundimtare.
Tirana pritet të përfitojë rreth 600 mijë euro nga ky operacion. Hasani është pjesë e 26 herë kampionëve të Shqipërisë prej verës së vitit 2022.
Gjatë kësaj periudhe ka shënuar 29 gola me rekordmenët e futbollit shqiptar. Zyrtarizimi i transferimit të tij në Bukuresht është çështje kohe.