Nga Mero Baze/
Ka një problem serioz tek mënyra se si opozita e Berishës po e përjeton arrestimin e tij. Po përpiqen ta përjetojnë si diçka kalimtare, që nuk do ta përfillin dhe do të vazhdojnë të udhëhiqen nga njeriu që do të jetë në arrest shtëpie. Ndryshe nga socialistët që cdo subjekt të drejtësisë e nxjerrin nga radhët e tyre dhe e lënë të përballet vetëm me drejtësinë, opozita e Berishës, po përpiqet të lidh fatin e saj edhe më fort me Berishën ndërkohë që atij I është prerë fleta e arrestit. Nuk dua të hedh fall se çfarë do ti ndodh atij në të ardhmen, a do rrije gjatë në arrest shtëpie a do të përfundoj në burg, por ditët e lirisë për Sali Berishën si politikanë kanë përfunduar.
Në këto pak vite që i kanë mbetur ai do të jetë në një betejë të gjatë me drejtësinë shqiptare, jo vetëm për historinë e truallit të klubit Partizani që favorizoi vajzën e vet, por sidomos për ngjarjen e 21 janarit, për të cilën tani drejtësia shqiptare ka një vendim prej 40 faqesh shkruar nga Gjykata e Strasburgut dhe detyra e gjykatave tona, është vetëm të njehsojnë qëndrimin e tyre me gjykatën më të lart evropiane. Sali Berisha është I akuzuari kryesor në atë vendim. Në emër të pushtetit ai ka përdorur shtetin kundër katër qytetarëve dhe më pas ka prishur provat dhe ka sabotuar hetimin dhe gjykimin e asaj çështje. Kjo është e shkruar në vendim dhe ai do të përballet me atë vendim.
Edhe sikur to mos I taks ndonjë çështje tjetër, 21 Janari dhe kjo për të cilën është nën hetim do të mjaftojnë që ai për aq vite jetë sa i kanë mbetur të dergjet në dyert e gjykatave, dhe të kthej në axhendë politike hallet e tij. Pra siç e shikoni dhe tani, çdo ditë ai do të shfaqet në Facebook dhe do të na shpjegoj sa metër katror truall kishte tek Partizani, sa ishte shpronësuar nga Italia, sa nuk ishte shpronësuar, sa mori Jamarbëri, si ua bleu kushërinjve, si fitoi pjesën e tyre për shkak të ndereve të qeverisë dhe ne do të përfundojmë që për disa vjet të mësojmë përmendësh dhe planimetritë e 17 kullave të vajzë së Sali Berishës. Nuk është se na bezdis kjo gjë, por opozita ka nevojë për axhendën e saj dhe jo për hallet e Sali Berishës për 17 kullat e vajzës. Pastaj do nis çështja e 21 janarit.
Do të filloj të shpjegoj, kush ishin puçistët, si u mbrojt garda, kush ishte zinxhiri komandues, I tha apo nuk I tha Komandantit të Gardës qëllo, do na shpjegoj pse ishte gati të na jepte serverin e kamerave, pastaj do na shpjegoj pse nuk ishte gati se atë ja kishin fshirë, do na shpjegojë pse nuk I la prokurorët të dokumentonin skenën e ngjarjes, pse i zboi, pse nuk I la të arrestonin gardistët, pastaj do na shpjegoj pse i la, pastaj do na shpjegoj pse kërcënoi Edi Ramën ta vriste më snajper po ti vinte përsëri para kryeministrisë, pastaj do na shpjegoj pse nuk e vrau, pastaj do na thotë pse tha që “jo tre, por dhe tre mijë do vrisja”, pastaj do na thotë pse nuk vrau tremijë, etj. Broçkulla. Pra do vazhdojmë të dëgjojmë një plak të rrjedhur që flet me vete për krimet që ka bërë.
Por krimet i ka bërë Sali Berisha jo opozita. Çfarë kusuri ka opozita të identifikohet çdo ditë me krimet dhe vjedhjet e Sali Berishës. Pse demokratët që ndjehen të braktisur dhe të zemëruar që janë të përçarë për shkak të Berishës, tani duhet të kthejnë në axhendë të tyre logorenë e një plaku në hall, që nuk do këtë shpëtoj më parë vajzën, djalin apo vetën. Drejtësia shqiptare nuk ka në target të saj opozitën, por një familje që ka marr peng opozitën për ti shpëtuar drejtësisë. Por nuk po I shpëton dot. Thjeshtë opozita duhet të kuptojë se nuk e ndihmon dot Sali Berishën, as fëmijët e tij në hallet me drejtësinë. Ata mund ta ndihmonin opozitën duke e lënë të qetë dhe duke u mbrojtur vet para drejtësisë. Ata po sillen si një i mbytur që kapet pas shpëtimtarit për ta mbytur dhe atë.
Dhe në këtë rast po mbysin opozitën. Për këtë shkak, është mirë që opozita të çlirohet nga iluzioni i pandëshkueshmërisë së Berishës, dhe ta kuptojë se arrestimi I Berishës nuk është një gjë që do të zgjas një javë dy javë e pastaj ai do të kthehet triumfator. Ai nuk do dal më nga ajo derë.
Ndaj nuk është mirë që të mbyllen dy dyer njëkohësisht dhe ajo e familjes Berisha dhe e opozitës. Secili në hall të vet.