Tiranë, 11 Dhjetor – Vijon shtrirja e laboratorëve të inteligjencës artificiale, në fazën e dytë të këtij projekti në shkolla, për të rinjtë nga 13-19 vjeç. Nga gjimnazi “Ismail Qemali”, ku pa nga afër projektet e realizuara nga nxënësit në Laboratorin e Inteligjencës Artificiale, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, tha se në fokus të punës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të jetë zgjerimi i  njohurive të nxënësve në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale.

“Projekti i inteligjencë artificiale ka si objektiv për të përfshirë më shumë se 2 mijë nxënës edhe 140 mësues, për rritur kapacitetet dhe orientuar zgjidhjet inteligjente, nëpërmjet këtyre programeve”,- tha Ministrja Manastirliu.
Duke folur për investimet për laboratorët e teknologjisë në shkolla, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Do të vijojmë me investimet me 216 laboratorë Smart për vitin 2024, dhe duke vijuar nga 2025, do të kemi shtrirjen e këtyre laboratorëve në 650 shkolla të tjera, gjë që do të bëjë të mundur që edukimi digjital të bëhet pjesë e kurrikulës dhe e mësimit të përditshëm të fëmijëve që në moshë të vogël, por nga ana tjetër edhe të zhvillojë mendimin kritik.”

Laboratori i Inteligjencës Artificiale në gjimnazin “Ismail Qemali” është pjesë e projektit ‘AI for Youth’, ku në faqën e parë janë përfshirë nëntë shkolla dhe aktualisht projekti po shtrihet edhe në 15 shkolla të tjera. Projekti i laboratorëve të inteligjencës artificiale për të rinjtë, po implementohet në kuadër të politikave të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Intel Corporation Inc., nga i cili përfitojnë nxënës të grupmoshës nga 13-19 vjeç.