Pasuritë e paluajtshme, industria nxjerrëse dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit, kryesojnë listën e sektorëve ku janë përqendruar investimet e huaja më të mëdha. Banka e Shqipërisë thotë se të huajit kanë investuar në vend nga janari deri në shtator, 1 miliardë e 88 milionë euro, dhe afro 55% e totalit u përqendrua në këto sektorë të ekonomisë. Më konkretisht 222 milionë euro investime në pasuri të paluajtshme, 200 milionë euro në industrinë nxjerrëse dhe 166 milionë euro në aktivitetet financiare. Edhe pse tregu real-estate kryeson për peshën e madhe të investimeve që përthith, gjatë periudhës janar-shtator ato janë në rënie në këtë industri me 3 milionë euro, ndërkohë që kanë pësuar një rritje të fortë me 74 milionë euro më shumë se vjet tek aktiviteti financiare dhe i sigurimit. Po ashtu janë rritur me 33 milionë euro investimet në tregti me shumicë dhe pakicë, e që arritën në 106 milionë euro në 9 muaj.

Sipas bankës gjatë këtij viti krahasuar me 9 mujorin e vitit 2022, ka humbur terren industria përpunuese me -27 milionë euro, sektori i energjisë me -12 milionë euro, dhe me -2 mln euro është edhe industria nxjerrëse. Në total krahasuar me vjet fluksi i investimeve u rrit me 104 milionë euro. Ndërsa sa i takon burimit të fondeve që injektohen në ekonominë tonë më shumë se 50% e vlerës së investimeve të huaja kanë ardhur nga Holanda, Italia, Turqia dhe Austria. Nga këto 212 milionë euro janë investime nga kompani holandeze, 151 milionë euro italiane, ndjekur nga 126 milionë euro investime turke dhe 88 milionë euro nga Austria.

Vetëm në tremujorin e tretë investimet e huaja direkte arritën në 404 milionë euro, me rritje rreth 17% në terma vjetorë. Por banka e Shqipërisë thotë se në këtë tremujor më shumë është ri investuar fitimi i kompanive të huaja në vendin tonë, se kanë ardhur investime të reja nga jashtë. “Injektimi me kapital të ri shënoi 214 milionë euro. Ndërkohë që, kategoria fitimi i ri-investuar u zgjerua me 3%, në nivelin 201 milionë euro”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

INVESTIMET SIPAS SEKTORËVE
Pasuri të paluajtshme 222 mln euro
Industri nxjerrëse 200 mln euro
Aktivitete financiare 166 mln euro
INVESTIMET E HUAJA DIREKTE
Janar-Shtator 2022 984 mln euro
Janar-Shtator 2023 1.088 mln euro
Diferenca +104 mln euro
INVESTIMET SIPAS SHTETEVE
Holandë 212 mln euro
Itali 151 mln euro
Turqi 126 mln euro
Austri 88 mln euro