I ekstraduar në Itali në fund të muajit gusht, Alket Hatija, i dënuar nga Apeli me vendim të formës së prerë me 20 vjet burg për trafikim narkotikësh dhe vepra të tjera penale, ka fituar lirinë.

Gjykata e Apelit të Milanos, me vendim të datës 11 dhjetor 2023 konsideron se dënimi i kryer në Shqipëri, vendim i dhënë nga gjykatat shqiptare për 10 vjet burg është për të njëjtat vepra penale dhe në këto kushte konsiderohet i shlyer.

Brenda afateve ligjore, mbrojtësit e Alket Hatisë bënë ankim në gjykatë pas ekstradimit të tij në datën 31 gusht të këtij viti.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Italisë, personat e ekstraduar kanë të drejtë të rihapin procesin brenda afatit ligjor prej 30 ditëve, praktik që u ndoq kësaj here edhe nga Alket Hatija.

Në vitin 2006 shkalla e parë e dënoi Hatinë me 44 vjet burg, e cila në atë kohë shkoi në 30 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar, e pranuar nga avokati i tij.

Në vijim Italia i kërkonte Shqipërisë arrestimin e tij për efekt ekstradimi, por arrestimi i vitit 2007 rezultoi në dënimin e tij me 10 vjet burg me gjykim të shkurtuar në Shqipëri dhe ekstradimi nuk u krye.

Gjatë kohës që ai ishte në burg në Shqipëri, Gjykata e Apelit të Milanos ka marr njoftim për dënimin dhe gjendjen e tij në qeli nga avokati, megjithatë në janar 2010 atij i është nisur njoftim për dijeni për gjyqin, i cili ka ardhur 6 muaj me vonesë në Shqipëri.

Sipas Kodit të Procedurës Penale në Itali, në momentin që personi është në burg për të njëjtën çështje, gjyqi duhet të pezullohet ose të merret prokur me shkrim nga vetë i pandehuri që pranon të vijojë gjykimin.

Në rastin e Hatisë një gjë e tillë nuk ka ndodhur nga vetë ai, por firmosur nga avokati, pa pëlqimin e 50-vjeçarit

Në këto kushte, në rihapjen e procesit gjyqësor, Gjykata e Apelit të Milanos ka lënë të lirë Hatinë, i cili pritet të kthehet në atdhe brenda pak ditësh, duke përmbyllur përfundimisht një proces të gjatë betejash me gjyqësorin.