Trajneri i kombëtares italiane, Luciano Spalletti konfirmon edhe njëherë se skuadra axurre do të jap maksimumin në Euro2024. Në një intervistë për mediat italiane, 64-vjeçari shtoi se asnjë nga kundërshtarët nuk do të jetë i lumtur për tu ndeshur me ta.
“Jemi kampionët në fuqi dhe nuk na interesojnë të tjerët. Unë besoj tek lojtarët e mi dhe ata duhet të besojnë tek vetja e tyre. Duke mbajtur këtë fanellë mbi supe, ne nuk mund të tërhiqemi kurrë. Asnjë nga kundërshtarët tanë nuk do të jetë i lumtur të na takojë. Duhet të bëjmë detyrën tonë në fushë. Ne jemi një ekip që luan egër, guximshëm dhe një futboll modern kur ka rival të fortë përballë”.
Një deklaratë që paralajmëron kundërshtarët, mes të cilëve edhe Shqipërinë. Italia e nis aventurën në Euro2024 pikërisht përballë kombëtares shqiptare, e cila merr pjesë për herë të dytë në një kampionat Europian.
Sfida do të luhet në stadiumin ‘Signal Iduna Park” të Dortmund më 15 Qershor të vitit të ardhshëm në orën 21:00. Përballja do të transmetohet falas në televizionin kombëtar ‘Klan’, ashtu siç ndeshjet më të mira të kampionatit Europian në tokën gjermane. Pjesë e grupit B të Europianit janë edhe Spanja e Kroacia.