Nga Roland Qafoku

E hëna në Komisionin e Mandateve dhe e enjtja në seancë plenare do të jenë dy ditët që Sali Berisha do të donte të mos i kishte në CV-në e tij. Deputetët do të marrin në shqyrtim kërkesën e drejtuesit të SPAK Altin Dumani të dërguar më 12 dhjetor, në të cilën, i kërkon Kuvendit autorizmin për arrestimin e tij. Nuk ka ndonjë dyshim që kuvendi do ta japë këtë rekomandim. I gjithë opinioni nuk ka pritshmëri tjeter, përveçse asaj që mazhoranca socialiste dhe bashkë me të edhe disa vota nga e djathta, do të japë e sigurtë votat e mjaftueshme që Sali Berisha të arrestohet. Por, si Berisha dhe i gjithë opinioni publik, më shumë janë të interesuar dhe kuriozë të dinë se çdo të ndodhë pas dhënies së miratimit nga kuvendi. Pra, çfarë veprimesh do të kryejë SPAK pas këtij rekomandimi. Opsioni më i mundshëm është që prokurorët të kërkojnë dhe marrin në gjykatë masën arrest në shtëpi për shkak edhe të rrethanave: Moshën e madhe dhe akuzën jo të rëndë, atë të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë, të kryer në bashkëpunim. Le të mendojmë për një moment Sali Berishën në shtëpi si një i arrestuar. E rëndë është sa s’ka ku të shkojë më. Kur duhen edhe 10 muaj që të mbushë 80 vjeç, duket sikur e gjithë karriera e tij bëhet hi vetëm nga ky vendim i prokurorëve të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme.

Pra, politikani më i rëndësishëm në këto 33 vjet në Shqipëri; Ai që dominoi politikën dhe asnjë vendim politik në këto më shumë se 3 dekada nuk është marrë pa miratimin e tij; Politikani që ishte 8 vjet kryeministër, i pesti në radhë për kohëgjatësinë në detyrë mes 33 kryeministrave në 111 vjet shtet; Politikani që qendroi 5 vjet në detyrën e presidentit të Republikës, presidenti më jetëgjatë në detyrë pas rrëzimit të komunizmit dhe i vetmi që është zgjedhur për dy mandate; Politikani që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në rrëzimin e diktaturës dhe në organizimin e Lëvizjes së Dhjetorit 1990; Ai që ka meritën që mes atij grupi intelektualësh të formonin Partinë Demokratike, atë 12 dhjetor 1990, të parën forcë opozitare në historinë e Shqipërisë; Politikani që ndikoi dhe ka kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare, veçanërisht atë të Kosovës që arriti me pavarësinë e saj dhe themelimin e shtetit më të ri në Evropë; Politikani që duke qenë në detyrën e kryeministrit pati dy arritje nga më të rëndësishme si asnjë politikan tjetër në këto 33 vjet, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe heqjes së vizave me BE; Politikani që ka lënë shenjën e vetë në ndërtimin e Shqipërisë në këto 33 vjet me vepra, mes tyre ndërtimin e kryeveprës, atë të rrugës së Kombit Durrës-Kukës-Morinë që cilësohet si bashkimi i gjeografik mes Shqipërisë dhe Kosovës; Politikani që udhëhoqi dhe drejtoi Partinë Demokratike në qeveri për afër 3 dekada dhe veçanërisht në vitet e vështira në opozitë 1997-2005; Politikani shqiptar që ka një bilanc si askush tjetër në marrëdhëniet me SHBA duke qenë i pari autoritet shtetëror shqiptar i pritur me ceremoni të veçantë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën Ovale të presidentit George H. Bush; Politikani i parë shqiptar që duke qenë në detyrën e kryeministrit priti më 10 qershor 2007 presidentin e SHB-së, George W. Bush, i cili u bë i pari president amerikan që vizitoi Shqipërinë; Dhe pas kësaj parade dhe bilanci si askush tjetër në Shqipëri, pas 33 vjet karrierë nga më intesivet, është në prag të arrestimit. Prandaj kjo pritet të jetë java e përmbysjes së madhe të karrierës së tij.

ÇFARË PRITET TË NDODHË NË POLITIKËN SHQIPTARE

Në fakt, zhvillimet me këtë çështje kanë qenë aq intesive sa mund të ndodhin përmbysje të veprimeve dhe vendimeve nga momenti në moment. Megjithatë, nga ajo që lexojmë në kërkesën e plotë që SPAK i ka dërguar Kuvendit dhe deklaratat e bëra nga politikanë të ndryshëm është duke u skicuar pak a shumë gjithçka që ky institucion, por edhe Berisha me avokatët e tij, Partia Demokratike, por edhe Partia Socialiste.

Së pari, SPAK po i shkon çështjes deri në fund dhe pak besohet se do të ketë tërheqje nga vendimet e marra dhe veprimet e kryera. Duket se arma më e fortë e SPAK mbetet ambasada amerikane dhe kjo mbështetje lidhet me faktin që SHBA e ka shpallur Berishën prej kohësh non grata. Në këtë kontekst, nuk besohet se prokurorët mund të kenë ndonjë tërheqje si në aspektin e presionit politik, por edhe kompleksitetit që kanë të bëjnë me një personalitet të politikës shqiptare.

Së dyti, Kuvendi pritet të japë miratimin për arrestimin e Berishës dhe kjo nuk vihet në dyshim. Kjo do të shoqërohet me një situatë të re në politikën shqiptare. Me një kryetar të PD të izoluar, socialistëve do t’u ndërpritet përplasja me armikun e tyre historik, por në të njëjtën kohë edhe “asetin e tyre më të çmuar” siç e cilësonte ish-lideri i tyre Fatos Nano.

Së treti, gjasat më të mëdha janë që SPAK dhe gjykata të vendosin që Sali Berisha të jetë në arrest shtëpie. Mosha afër 80 vjeç dhe akuza që ai ka janë të sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale mund të bëjnë që kjo të jetë masa më e pranueshme e izolimit. Sado aktiv të jetë ai, një Sali Berisha i mbyllur në shtëpi nuk pritet të ketë kurrë të njëjtin impakt. Prandaj, veprimet e opozitës pritet të jetë shumë më pak të organizuar, dhe në situatën që ndodhet, pse jo të çoroditura.

Së katërti, avokatët e Berishës vërtetë janë hedhur në ofensivë. Madje, kërkesa e fundit për në Gjykatën Kushtetuese për ta cilësuar të pavlefshme kërkesën e prokurorisë në kuvend ishte befasi. Sepse Berisha tha që do të paraqitej edhe në kuvend dhe jo vetëm do ta pranonte, por edhe do ta votone kërkesën e SPAK. Megjithatë duket se kjo është një taktikë që avokatët duan të fitojnë jo vetëm kohë, por pse jo, mund të arrijnë një fitore nga Gjykata Kushtetuse që s’ka lidhje as me SPAK. Nëse do të ndodhë kjo, do ta përmbyste procesin dhe do të sillte një situatë vërtetë në favor të Berishës.

Së pesti, në Partinë Demokratike do të ketë jo pak zhvillime. Me Sali Berishën në arrest shtëpie do të thoshte një Shqipëri me liderin e opozitës të arrestuar dhe në imazh nuk është një gjë e mirë. Por nga ana tjetër në situatën që ndodhet opozita, me Berishën në arrest shtëpie duket sikur do ta fundosë edhe më tej atë. Ka një teori sipas të cilës pikërisht ky arrestim mund të ngrejë kuotat dhe motivojë demokratët. Madje disa shprehen se Berisha në arrest edhe mund t’i bashkojë ata. Por janë të pakta gjasat për këtë. Edhe pse kanë kauzë të drejtë për atë që po ndodh në parlament, mbështetja popullore mungon. Në bazë nuk ka fare organizim dhe mbështetje për reagim dhe PD e ndarë në katër pjesë është në ditët e saj më të këqija.

Ndodhur në këtë situatë mund të themi se Sali Berisha është në ditët e tija më të rënda të karrierës dhe jetës politike. Është në të situatë që duket sikur përmbys dhe hedh poshtë të gjithë atë bilanc dhe karrierë që e arriti vërtetë me impenjim dhe investim maksimal. Por, duhet të themi se Sali Berisha diti si të futej në politikë dhe ta dominojë atë. Diti si të qendrojë në majë të politikës. Diti të arrijë rezultalte dhe të ketë bilancin nga më të mirët në historinë e Shqipërisë. Diti shumë të drejtojë, menaxhojë dhe të bënte beteja. Sigurisht që gaboi, në jo pak raste edhe rëndë, veçanërisht ngjarjet e vitit 1997 do të mbetet pika e tij më e ulët në karrirë. Por bilanci i tij është i tillë që ai është futur në histori si dominuesi i politikës që nga viti 1990 e deri më sot. Por Sali Berisha nuk diti të dalë nga politika. Kjo i bëri atij atë që po i ndodh sot.

KRYEMINISTRI I GJASHTË I ARRESTUAR NË 111 VJET SHTET

Besohet se në asnjë vend tjetër të globit nuk ka një rast të tillë si ky i Berishës që pas 33 viteve karrierë të jetë nën arrest. Por ndërsa opinioni është i bindur që kuvendi do të japë miratimin për arrestimin e tij, le të kthejmë kokën prapa për të parë se cilët janë ata kryeministrat që kanë patur të njëtin fat. Rezulton se mes 33 kryeministrave në 111 vjet shtet, gjashtë prej tyre janë arrestuar.

Rasti i parë është i Kostaq Kotas, kryeministrit të 15-të të shtetit shqiptar, i cili u rrëmbye dhe arrestua nga Sigurimi i Shtetit në Selanik në vitin 1945 dhe u vra në një qeli në Burgun e Burrelit në vitin 1949, në atë burg që e inaguroi vetë. Pas kësaj vrasje një i burgosur shkroi në muret e qelisë: Burrel. Hyn dhe s’del.

Rasti i dytë është i Maliq Bushatit, kryeministrit të 18-të të shtetit shqiptar që u arrestua në janar të vitit 1946, u arrestua dhe pas një vendimi gjykate si tradhëtar u ekzekutua më 20 shkurt 1946.

Rasti i tretë është i Ibrahim Biçakut, kryeministrit të 21-të, i cili u arrestua më 6 dhjetor 1944 për bashkëpunim me pushtuesit gjermanë. U kërkua dënim me vdekje nga prokuroia, por gjykata e dënoi burgim të përjetshëm. Bëri 17 vjet, 4 muaj e 29 ditë burg. Vdiq më 4 janar 1977 teksa punonte pastrues i banjove të qytetit të Elbasanit.

Rasti i katërt është i Adil Çarçani, kryeministri i 24-të i shtetit shqiptar. Ai u arrestua në 1992 dhe u dënua me 5 vjet për shpërdorim detyre dhe më pas edhe për genocid gjatë regjimit komunist. U lirua më 13 mars 1997.

Rasti i pestë është i Vilson Ahmetit, kryeministrit të 27-të të shtetit shqiptar. Ai u arrestua më 19 shkurt të vitit 1993 lidhur me atë që u quajt skandali i Nikola Arsidit, një francez që negocoi për pagesën e borxhit të Shqipërisë në shumën 1.6 milionë dollarë. Ahmeti u akuzua për vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim dhe për mitmarrje. Qendroi në qeli 1 vit 4 muaj dhe në arrest shtëpie 8 muaj. U dënua me 2 vjet burg dhe më pas mori pafajësinë.

Ratsi i gjashtë është i Fatos Nano, kryeministrit të 26-të. Ai u arrestua më 31 korrik 1993 dhe u dënua me 14 vjet burg. U lirua më 13 mars 1997 pasi bëri 1516 ditë burg me akuzën vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës në favor të të tretëve, me ndihmat italiane të vitit 1991 në shumën 8 milionë dollarë.