Raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes në mediat helene për shkak të arrestimit të Fredi Belerit.

Gazeta greke ‘Kathimerini’ shkruan sot se ‘Athinë është në pritje të lëvizjes së radhës të Edi Ramës’ sa i takon çështjes Beleri.

“Pak para Krishtlindjeve, Rama kishte shpallur në fakt shkarkimin e kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro , i cili përballë Fredi Belerit humbi në zgjedhjet e majit, por vazhdon të qëndrojë në detyre”, shkruan gazeta, e cila përmend tre emra të mundshëm që Rama kishte propozuar për kryetar të përkohshëm të bashkisë.

Por pas një reagimi të Fredi Belerit, i cili artikulonte se kryetar i përkohshëm duhet të jetë një nga këshilltarët e zgjedhur nga rezultatet e majit, tre emrat u anuluan, shkruan me tej Kathimerini.

“Athina është padyshim në konsultim me Belerin, pasi po kërkohet një raport në një çështje që shkon shumë përtej marrëdhënieve greko-shqiptare dhe, siç është parë kohët e fundit, ka ndikuar edhe në diskutimin e përgjithshëm për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, pas lëvizjeve të fundit të kryeministrit Rama, disa analistë dhe gazetarë në Shqipëri besojnë se kryeministri në fakt po përpiqet t’i hapë rrugën zgjedhjeve të përsëritura në Bashkinë e Himarës”, thuhet më tej në shkrimin e gazetës helene.

Këtyre zhvillimeve të fundit u paraprinë një sfond shumë intensiv diplomatik dhe shkëmbime mes Athinës dhe Tiranës në nivele të ndryshme.

E përditshmja greke citon ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili një ditë më parë në konferecën me gazetarët tha se “ka negociata, ide dhe angazhime nga të dyja palët për të gjetur një zgjidhje”.

Sipas gazetës, kryediplomati shqiptar vuri në dukje se “vendimi i gjykatës speciale po shqyrtohet nga qeveria dhe po shqyrtohen të gjitha hapat që do të çojnë në një situatë që do të krijojë një zgjidhje afatgjatë dhe të besueshme”.