Teksa ka kundërshtuar me forcë akuzën prej ditës së arrestimit te tij, Alfred Beleri refuzoi të japë llogari para prokurorëve të SPAK në sallën e gjyqit. Në seancën e së martës, Beleri shfrytëzoi të drejtën ligjore për të mos dhënë pëlqim për t’u pyetur nga SPAK si i pandehur.

“Nëse do të kisha besim te prokuroria do t’i përgjigjesha çdo pyetjeje, por duke parë njëanshmërinë, refuzimin e çdo kërkese timen dhe dokumente të falsifikuara në dosje, nuk kam besim tek prokurori. Nuk dua të pyetem”, tha Beleri.

Me herët gjykata administroi një dëshmi, ku vëllai i të infiltruarit Arsen Rama, pohonte se iu kishin kërkuar tërheqje të dëshmisë në këmbim të azilit në Greqi. Gjykata lejoi leximin e deklarimeve, pasi dëshmitari nuk u gjet në adresën e tij dhe se, sipas TIMS, rezultonte jashtë vendit prej korrikut.