Socialistët zgjodhën Ditën e Demokracisë për të mbajtur kongresin e tyre.
Ky kongres e gjen Partinë Socialiste në mandatin e tretë qeverisës të vendit, e pa shqetësuar nga opozita e fragmentuar thellë si asnjëherë më parë, por e vënë nën trysninë e hetimeve dhe disa arrestime të zyrtarëve të kësaj force politike nga SPAK.
Socialistët e nisën kongresit me krenarinë e tyre: Reformimin e drejtësisë. Ndërsa ish-zëvendës kryeministri Erion Brace përmes një toni drithërues përcolli dhimbjen e socialistëve, për 4 të vrarët në bulevard më 21 janar.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se tashmë socialistët ndihen më të lehtësuar pas vendimit të Strasburgut për “21 Janarin”.
“Për çdo njeri të lirë drejtësia për 21 janarin është provë themeli për të mbrojtur vlerat e civilizimit dhe demokracisë. Për ne socialistët, 21 Janari është plagë dhimbje, por në këtë kongres ndjehemi pak të lehtësuar pasi vendimi i Gjykatës së Strasburgut më në fund i ka hapur rrugë drejtësisë. Vendimi i gjykatës evropiane, dëshmon më shumë se kurrë se drejtësia asnjëherë nuk e lë në harresë të drejtën. Jo më kot paneli nis me drejtësinë, pasi te drejtësia e ka zanafillën krijimi i shtetit. Votën e 2013, e faktuam përmes një përpjekje të madhe, për t’i dhënë vendit drejtësia, që nuk e ka pasur që nga 1912”, tha Manja.
21 Janarin, deputeti socialist Erion Braçe, e cilësoi pushkatim pa gjyq në mes të bulevardit.
“Specialistët e hetimit kontrolluan zonën dhe morën 500 gëzhoja së bashku me 12 plumba, prokurorët urdhëruan të jepnin kopje dhe si përgjigje garda deklaroi se komunikimet nuk ishin regjistruar, hetimi nuk mund të konsiderohet efektiv, në 21, 22 për 12 vite me radhë edhe dje më thuhej përmbahuni, përse duhet të përmbahem, forca vdekje prurëse, përdorimi i asaj me dashje është monopol i shtetit, por në kushte të ligjshme, është vrasje pushkatim pa gjyq në mes të bulevardit ka ndodhur. Konventa e të drejtave të njeriut shprehet qartë, ata nuk kanë qenë përdorues të armëve të zjarrit. Gjaku nuk është ujë, nuk bëhet ujë, duhet të bëhet drejtësi”, tha Braçe.
Senatori i socialistëve nuk i bishtnoi të përmendurit të atyre nga familja e tij politike, subjekte tashmë llogaridhënie në duart e drejtësisë.
Nga ana tjetër, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, nuk kurseu kritikat ndaj opozitës. Lidhur me tensionet në seancat e fundit plenare, ajo u shpreh se ata ndezin zjarr në Kuvend, kurse socialistët ndezin dritat nga Shkodra në Sarandë.
“Ky është dallimi kryesor me kundërshtarët tanë që me parlamentin sillen si revolucionarë, një nga, ata ndezin zjarre ne ndërtojmë edhe duke shuar zjarrvëniet e tyre, ne jemi institucion lirie, ata janë instrument i marrjes së lirisë, jemi vite dritë larg e larg po i tmerron ankthi për orën e së vërtetës, të paaftë të ndryshojnë, filozofia e tyre e bllokimit shkon në krah të kundërt me vullnetin e shqiptarëve, ata e kurdisin sahatin me akrepat e ‘97, ankthet e tyre, ata ndezin zjarr, ne ndezim dritat nga Shkodra në Sarandë. Ne shkojmë optimistë, ata kanë humbur edhe shpresën vetjake”, u shpreh Spiropali.
Kongresi vijoi me prioritet zhvillimore. Në panelin e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste, u prezantuan projektet për energjinë, turizmin, kulturën dhe bujqësinë.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, prezantoi projektin ambicioz për ndërtimin e linjës së transmetimit të linjës nënujore mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Ashtu sikurse para pak ditësh kemi rënë dakord me qeverinë italiane dhe operatorët e transmetimit, duke përfshirë një nga partnerët ekonomikë më të rëndësishëm, Emiratet e Bashkuara Arabe, janë vendosur të jenë pjesë, projekti energjetik më i rëndësishëm për dekadën e ardhshme, ndërtimin e linjës së transmetimit të linjës nënujore mes Shqipërisë dhe Italisë, unë e di që kundërshtarët tanë shpeshherë mërziten, ata nuk arritën t’i bënin kurrë sepse ishin shumë të zënë me zullumet e tyre, për ne shqetësimi i kundërshtarëve nuk na ka shqetësuar“, tha Balluku.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë prezantimit të objektivave të lidhura me turizmin tha se 9.53 milionë është shifra e turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë deri në prag të fundvitit. Krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2022, është shënuar një rritje me 33%, sipas shifrave të bëra të ditura sot, theksoi ajo.
Ministri i Financave, Ervin Mete, njoftoi një paketë për mbështetjen e shtresave vulnerabël që do të jepet brenda këtij viti. Njësoj si bonusi për pensionistët në fundvit, pritet të jepet një shpërblim për të gjitha kategoritë e tjera vulnerabël. Ai u ndal te buxheti i vitit 2024, që sipas tij, synohet të përkthehet në mirëqenie të shtuar për qytetarët. GDP-ja parashikohet të jetë dyfish më e lartë në vitit e ardhshëm, krahasuar me 10 vite më parë, tha ministri i Financave.
Paneli për shërbimet publike në Kongresin e PS tregoi disa prej projekteve për arsimin, shëndetësinë apo arsimin profesional.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu foli për një plan të gjerë për transformimin e sistemit arsimor në Shqipëri. Me synimin e përmirësimit të cilësisë së arsimit, një nga hapat kyçe sipas Manastirliut, është rritja e pagave për mësuesit.
“Nisim nga 2024 modernizimin e kornizës kurrikulare për arsimin parauniversitar. Për të përafruar programet arsimore me të rejat e kohës, duke riorganizuar rreth aftësive sociale dhe kulturës së përgjithshme këtë kurrikul. Për mësuesit në 2024 do nisin programin ndërkombëtar për zhvillimin profesional të tyre që do mundësojë trajnime efektive për mësimdhënien në matematikë, gjuhë e shkenca. Nuk do lëmë pas fëmijët me aftësi speciale që do rrisim në 2000 numrin e mësuesve. Kemi treguar me vepra i çmojmë mësuesit, që kemi rritur pagat për mësuesit. 2024 do jetë viti i rritjes historike të pagave të mësuese duke e çuar në 950 euro. Me rritjen e pagave ne synojmë të mbajmë individë të talentuar në Shqipërinë e sotme dhe të nesërme. Ne synojmë jo vetëm të mbështesim talentet por t’i orientojmë drejt një karriere që synon punësim të rregullt”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, deklaroi sot se fuqizimi i spitaleve rajonale, zgjerimi i skemës së barnave të rimbursueshëm, paketat e shërbimit shëndetësor falas, ofrimi i shërbimit në banesë apo rritja e programeve sociale janë vetëm disa nga masat që shkojnë direkt në përfitim të moshës së tretë.
Nga paneli për shërbimet publike gjatë punimeve të Kongresit të PS-së, ministrja Koçiu tha se “vizioni ynë për shëndetësinë e gjeneratës së re është i pandashëm nga ambicia për një mbulim të plotë shëndetësor universal, për spitale autonome që shërbejnë si qendra ekselence, si dhe mjekë e infermierë të mirëpaguar”.