Mero Baze
Sali Berisha po përpiqet të ngrejë moralin e mbështetësve të tij që e kanë braktisur, duke u ngujuar në zyrat e SHQUP, pas vendimit për arrestimin e tij. Po përpiqet ta kthejë ndërtesën e SHQUP, në një kullë gjaku, për të negociuar fatin e tij.
Zakonisht në kullën e ngujimit të gjakmarrjes, dorëzohej vrasësi, dhe tregonte si e kishte vrarë hasmin. Dhe nëse e kishte vrarë sipas rregullave, thirrej dhe familja viktimë për t’i pajtuar. Por Berisha është dorëzuar si një vrasës që nuk pranon krimin. Madje as reflekton për krimet që ka bërë dhe as i rrëfen ato. Do thjesht t’i iki dënimit.
Përpjekja e tij për t’u mbyllur në kullën e ngujimit, në një ndërtesë që nuk i përket as atij, as familjes së tij politike, me shpresë se dikush do trokasë të negociojë fatin e tij, është iluzion i rremë.
Sali Berisha është dorëzuar në kullë si një vrasës i shpresës 33- vjeçare të shqiptarëve. Siç e ka dizajnuar Departamenti i Shtetit, ai ka minuar shpresat e shqiptarëve për demokraci, ka shantazhuar sistemin e drejtësisë, dhe është përfshirë në korrupsion madhor bashkë me pjesëtarët e familjes së tij.
Në atë derë nuk do trokasë askush, përveç policisë që do ta marrë dhe do ta çojë aty ku gjykata do të vendosë që të vuajë dënimin. Nëse i thotë në shtëpi, ai mund të zgjedhë një nga apartamentet që ka në 17 kullat e vajzës dhe të qëndrojë aty. Deri këtu mund të shkojë toleranca, që të jetojë në një shtëpi ligjërisht e familjes së tij. Po këmbënguli të rri aty, do të shkojë në qeli.
Dhe mos të humbasë kohën që do të shkojë një i dytë të trokasë për të negociuar fatin e tij.
Ai është sot udhëheqësi politik më i braktisur në shoqërinë shqiptare. Përsëritja e të njëjtës skenë si para zyrave të Kuvendit, ashtu dhe sot para sallës së Kuvendit, me aq pak njerëz, tregon se ai është në një krizë të thellë morale me vet demokratët, të cilët janë të qartë se është në një betejë për 17 kullat e tij dhe krimet e tjera që presin në radhë të hetohen.
Qoftë dhe për kaq Sali Berisha duhet dënuar me burg nga vet opozitarët, nga ata të cilët janë sot viktima më e madhe e egos së tij personale për pushtet dhe përdorimin e opozitës për hallin e familjes së tij.
Përpjekja e tij për t’u mbyllur në “Kullën e Gjakut”, është një akt i ri dëshpërimi ndaj shqiptarëve, pasi armiku më i madh i tij sot nuk është as SPAK, as drejtësia, por populli shqiptar që e ka braktisur. Dhe ai popull nuk frikësohet nga kërcënimi i tij kanunor duke u mbyllur në kullë si njeri në gjak.
Sali Berisha është vërtet në gjak me Shqipërinë, por Shqipëria nuk drejtohet më me Kanun.
Ka ligje dhe ai do të ndëshkohet sipas ligjeve, dhe jo Kanunit.
Më lehtë do ta kalonte sikur të lexonte ligjet me kohë dhe të besonte tek ato, që të mos arrestohej. Tani që do arrestohet, është mirë t’i lexojë dhe të shpëtojë me sa më pak vite vuajtje fizike. Se turpin që do të mbetet në histori si politikan që vrau për të vjedhur dhe vodhi për të sunduar, nuk ja heq dot askush.
Partia që u themelua nga 300 firmëtarë, shumica profesorë universiteti dhe intelektualë të shquar, sot ka përfunduar në 300 shpellarë, që ruajnë kryetarin tek “Kulla e Gjakut” se mos ua marrin në burg. Mjafton kaq për të kuptuar që ky veç miliardave, ka vjedhur dhe fatin e Shqipërisë.