Detaje të reja janë mësuar nga operacioni i SPAK ku është zbardhur tentativa e vrasjes së Xhevdet Plakut, i njohur edhe si ‘Akili’ që drejton një grup kriminal në fushën e trafikut të drogës.

‘I forti i Durrësit’, Kep Rapi dhe ish-shefi i komisariatit nr.6 në Tiranë dyshohet se kanë bashkëpunuar për tentativën e vrasjes ndaj Xhevdet Plakut si një hakmarrje pasi ky i fundit ishte një prej të akuzuarve për vrasjen e Sali Rapit të ndodhur në 2014-ën në Itali.

Gjykata e Savonës asokohe shpalli të pafajshëm Besnik Adrian Plakun dhe Xhevdet Plakun të cilët akuzoheshin për vrasjen. Sali Rapi u vra me dy plumba pistolete kalibër 7,65 mm, kjo armë nuk u gjet kurrë. Dëshmitari Alfred Hasa, pasi doli nga spitali, u zhduk pa lënë gjurmë, kështu që dëshmia e tij nuk mund të konfirmohej në sallën e gjyqit.

Por kush është Xhevdet Plaku, ‘Akili’?

38 vjeçari njihet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte nga Amsterdami dhe pakove iu vinte emra sipas cilësisë së mallit që kishte brenda. Zakonisht emra të markave të shtrenjtave të drogës duke nënkuptuar cilësinë e lartë të saj.

“Hermes” ishte kokaina më e pastër e më pas vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’. Në nëntor të vitit 2018 u arrestua në Holandë së bashku me 56 persona të tjerë, anëtarë të tre bandave të tjera por që ishin të lidhura së bashku dhe që shef kishin Xhevdet Plakun.