Këshilli për Rregulloren miratoi dje raportin për ndryshimin e rregullores së Parlamentit, siç propozuan javën e shkuar një grup deputetësh socialistë.

E vetëm me votat e tyre në këtë Këshill, shumica e majtë pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë, hartoi raportin që i hap rrugë amendimeve që do t’i çohet seancës plenare të ditës së enjte për t’u miratuar. Sipas këtyre ndryshimeve, masa maksimale për shkeljet disiplinore në Kuvend nuk do të jetë më 10 ditë, por 30 dhe 60 ditë sipas nivelit të shkeljeve.

“Masa disiplinore përjashtim nga pjesëmarrja në komisione/në seancë plenare deri në 30 ditë jepet në rastet: a) kur deputeti përdor dhunë fizike ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave apo punonjësve të Kuvendit a Gardës; b) kur deputeti përmes veprimeve të dhunshme dëmton pajisjet dhe orenditë e çdo mjet tjetër logjistik në sallën e seancave apo komisioneve.

Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione /në seancë plenare “deri në 60 ditë jepet në rastet : a) kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit/mbledhjes së komisionit/brenda mjediseve të Kuvendit; b) kur deputeti kryen veprime/sjellje që përbëjnë shkelje që konfigurohen si shkelje penale pavarësisht nëse shkelja përben vepër penale sipas Kodit Penal; c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në pikën 6”. Nevojën e ndryshimeve të rregullores, socialistët i cilësuan si domosdoshmëri në kushtet kur sipas tyre opozita po abuzon duke tentuar pengimin e punëve të Parlamentit.

Ata deklaruan javën e shkuar kur këto propozime u futën me procedurë të përshpejtuar në rendin e punimeve të Kuvendit, se kanë marrë si model rregulloret e parlamenteve të vendeve europiane. Votimin në Këshill vetëm me votat e socialistëve për ndryshimin e rregullores, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e konsideron atentat ndaj parlamentarizmit dhe provokim të rëndë ndaj opozitës. Duke folur për gazetarët pas mbledhjes së grupit parlamentar të demokratëve, Bardhi tha se opozita do ta përshkallëzojë aksionin e saj opozitar.

“Mazhoranca në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores ka kryer atentat të rëndë ndaj parlamentarizmit, duke miratuar në mënyrë të njëanshme e madje pa njoftuar deputetët disa ndryshime që de facto pezullojnë mandatin e deputetëve të opozitës për 2 muaj. Në vend që të reflektojnë për dialog dhe normalizim të situatës në parlament, po kryen çdo akt për ta thelluar situatën jo normale dhe bllokimin e punës në Kuvend. Dua të shpreh vendosmërinë e secilit prej deputetëve, për t’ju përgjigjur përshkallëzimit që ka ndërmarrë mazhoranca me përshkallëzim të aksionit tonë. Ky është një provokim i rëndë ndaj asaj që ju keni parë gjatë këtyre 2 muajve në Kuvend. Më njoftojnë që e ka futur Gardën në gatishmëri dhe ka bërë shumë mirë sepse ne jemi në një regjim”, u shpreh deputeti Bardhi.