Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka uruar besimtarët e krishterë festën e Krishtlindjeve përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në prag Krishtlindjesh ajo ka shprehur dëshirën që qytetarët dhe fëmijët e Palestinës dhe Izraelit të shpëtojnë nga tmerret e luftës dhe të gëzojnë frytet e paqes. “Në Bethlehem, në një koritë të thjeshtë, në thellësi të errësirës dhe në zemër të të ftohtit, një Bir e At na u dha të gjithëve dhe, prej asaj dite, fryma dhe supet e tij u bënë mbështetja jonë.

Me rastin e festës së bukur të Krishtlindjes, u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve shëndet, mbarësi e bekime në familjet e tyre. Besimi ndaj Jezusit është frymëzimi për të ecur drejt Dritës që mund errësirën, drejt Paqes që mund luftën, drejt Shpresës që mund dëshpërimin, drejt Jetës që mund vdekjen.

Sot, toka ku lindi Krishti, nuk ka qetësi. Në prag të Krishtlindjes, uroj e dëshiroj që qytetarët dhe fëmijët palestinezë dhe izraelitë të shpëtojnë nga tmerret e luftës dhe të gëzojnë frytet e paqes. Që qytetarët e Ukrainës dhe të kombeve të pushtuara të çlirohen dhe të jetojnë të lirë në shtëpitë e tyre.
Shëndet e bekime për të gjithë”, shkruan Lindita Nikolla.