Në ambientet e Pallatit të Kongreseve ka nisur mbledhja e Kongresit të PS. Mbledhja në ditën e Rinisë nisi me një valle nga fëmijët të veshur me veshje tradicionale shqiptare dhe motivet kuqezi.
Ndërkohë, kryesocialisti Edi Rama është parë krah Gramoz Ruçit.
Punimet e kongresit do të jenë të ndarë në 6 panele: Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit, Prioritetet zhvillimore, Qeverisja Vendore, Siguria dhe Shqipëria në botë si dhe Partia Socialiste 2030.
Socialistët do t’i drejtohen Kongresit të 8 dhjetorit, me një objekiv të qartë: Ambicien për mandatin e katërt në 2025, në të cilin kundërshtar nuk duket të kenë vetëm opozitën.
“Nuk do të flitet vetëm për partinë, por do të shpalosim edhe arritjet e çfarë kemi realizuar deri më tashmë si qeverisje e vendit, në vitet e qeverisjes, prespektivën dhe çfarë do t’i ofrojmë shqiptarëve në vijim, dhe ambicine tonë për mandatin e 4 në 2025. Përballë nuk kemi opozitën, por hallet e njerëzve”- tha Klosi në një intervistë për Report Tv.
Objektivi që të premten shpaloset, për sekretarin e Përgjithshëm të PS Blendi Klosin vjen vetëm me hapjen e partisë, që me gjasë do të lakmojë edhe të djathtët që ende dilemën se kush i udhëheq e kanë të pazgjidhur.
E si një nga kartat e forta të 10 viteve në pushtet, Reforma në Drejtësi pritet të jetë kryefjalë edhe në Kongresin e 8 dhjetorit.
Pesha kryesore do të jetë fjala e kryesocialistit Edi Rama, me të cilin do të mbyllet kongresi. Të pranishëm në kongres do të jenë edhe përfaqësues nga partitë simotra evropiane.